Mustafa: Kosovës i duhet një qeveri që e kthen shpresën tek rinia

Mustafa: Kosovës i duhet një qeveri që e kthen shpresën tek rinia

Kosovës i duhet një qeveri që e kthen shpresën tek qytetarët, veçanërisht rinisë. Për këtë mendim u pajtuan dy liderët e LDK-së dhe Vetëvendosjes, gjatë takimit të sotëm në një restorant në Prishtinë.

Isa Mustafa nëpërmjet një shkrimi në Facebook tha se së bashku me Albin Kurtin u pajtuan që vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje.

Sipas Mustafës, qeveria e re e Kosovës duhet të sillet me përgjegjësi dhe kompetencë në zhvillimin ekonomik, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, në menaxhimin e arsimit dhe shëndetësisë, në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit si dhe në hapjen e rrugës së integrimeve evropiane.

Edhe Kurti pas takimit me Mustafën është deklaruar nëpërmjet një shkrimi në Facebook. Kurti bëri të ditur se temë e takimit mes tyre ishte situata politike në vend, gjendja e rëndë ekonomike dhe seanca e 22 gushtit, ku do të shpërbëhet Kuvendi.

Ky ishte takimi i parë mes Kurtit dhe Mustafës, pasi ky i fundit u rizgjedh edhe për një mandat kryetar i LDK-së./21Media