“Demarkacioni, pasi të sigurohen votat nga deputetët”

Sipas kryeministrit nuk ka arsye të vazhdojmë kështu të izoluar

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ripërsëriti sot se dërgimi i Projektligjit për Demarkacionin me Malin e Zi do të ndodhë në harmoni me partnerët e koalicionit qeverisës dhe në momentin që do të sigurohen votat e deputetëve në Kuvend.

Ai theksoi se demarkacioni është edhe përgjegjësi e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të marrin një vendim për t’i nxjerrë nga izolimi qytetarët e vendit. Kjo pengesë nga disa deputetë, sipas Mustafës, ndoshta bëhet edhe për kauza politike edhe për, siç u shpreh ai, teke tjera.

 

“Ne në momentin që do t’i kemi prezentë deputetët në Kuvend edhe ata të Listës Serbe, sigurisht, se do të procedohet me një marrëveshje paraprake me partnerin kryesor PDK-në. Është përgjegjësi e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ata të vendosin pastaj, se a janë në gjendje që të marrin një vendim që t’i nxjerrin nga izolimi qytetarët e vendit, apo dëshirojnë që për kauza politike edhe për teke tjera t’i lënë qytetarët në izolim. Dhe mbetet pastaj që çdo njeri ta marrë përgjegjësinë e vet për vendimin që e merr”, tha kryeministri Mustafa me rastin përurimit të zgjerimit të rrugës në Veternik.

I pyetur sa i përket prishjes së mundshme të koalicionit në rast se nuk bëhet demarkacioni, Mustafa tha se nuk kanë biseduar për këtë çështje me partnerin qeverisës PDK. Ai shpreson se deputetët do ta votojnë demarkacionin, duke pasur edhe përkrahjen e Bashkimit Evropian që të liberalizohen vizat për qytetarët dhe bizneset, në mënyrë që të qarkullojnë sikur krejt qytetarët tjerë evropianë.

“Ne nuk kemi biseduar për prishje të koalicionit, por sigurisht se vendimi i tillë flet për një përgjegjësi të Kuvendit ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ai Kuvend pastaj duhet ta rishqyrtojë vendimin e vet. Por, unë shpresoj se deputetët do ta marrin këtë përgjegjësi, do t’i nxjerrin qytetarët nga izolimi, do të kemi përkrahjen e Bashkimit Evropian që të liberalizohen vizat për t’iu krijuar kushte qytetarëve dhe bizneseve për qarkullim, ashtu si qarkullojnë krejt qytetarët tjerë evropianë, sepse kemi mbetur vendi i vetëm i izoluar dhe nuk ka arsye të vazhdojmë kështu. Ne, si qeveri, po mundohemi të bëjmë maksimumin. Unë jam angazhuar që të bisedoj edhe me përfaqësues tjerë të BE-së, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje alternative”, tha Mustafa.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës Projektligjin për Demarkacionin e pati tërhequr në vjeshtën e vitit të kaluar, për shkak të kundërshtive të mëdha nga deputetët e opozitës dhe nga disa deputetë të pozitës.

Back to top button