Mustafa: Dëshiroj që Kuvendi e Qeveria të bëhen qysh nesër

Mustafa ka thënë se janë disa detyrime që nuk presin

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë tha se dëshiron që Kuvendi e Qeveria të formohen qysh nesër, pasi që janë disa detyrime që nuk presin dhe se ka pengesa në kryerjen e obligimeve të ndryshme financiare, për shkak të mos rishikimit të buxhetit për vitin 2017

E ministri i Financave Avdullah Hoti tha se në total mungesa buxhetore, është 112 milionë euro. Sipas tij në mungesë të rishikimit të buxhetit për vitin 2017, janë krijuar një sërë vështirësish në kryerjen e obligimeve financiare. Ai tha se janë një sërë obligimesh që mbesin pezull, sikur që është pagesa për veteranët e luftës së UÇK-së, obligimi për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, mjetet për zgjedhjet lokale, obligimi që ka dalë nga Gjykata e Arbitrazhit lidhur me çështjen e pasaportave dhe obligime të tjera.

“ Në mungesë të rishikimit ne do të përballemi me vështirësi në kryerjen e obligimeve. I pari është për skemat pensionale dhe sociale. Për shkak të mos mungesës dhe vonesës në klasifikimin e veteranëve të luftës. Ne duhet të vazhdojmë t’i paguajmë veteranët e luftës me shumën siç është caktuar me vendimin e Qeverisë në vitin 2015. Në bazë të parashikimit që është bërë bashkë me MPMS ne këtu kemi një mungesë prej 24 milionë euro për të përmbyllur vitin sipas obligimeve ligjore…Mjete që na duhet për zgjedhje lokale, ngase i kemi shpenzuar mjetet e parapara në buxhetin e rregullt për zgjedhjet lokale sivjet janë shpenzuar për zgjedhjet e përgjithshme…Në total jemi 112 milionë euro që kemi mungesë buxhetore për shkak të mos funksionimit të parlamentit dhe pamundësisë që të bëhet rishikimi i buxhetit”, tha ai.

Edhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri foli për mos rishikimin e buxhetit. Ndërsa u ankua ndaj Ministrisë së Financave që duke mos ndarë mjete buxhetore, ka bllokuar funksionalizimin e zyrave të gjendjes civile në tri komunat veriore dhe për zbatimin e reciprocitetit në tabela me Serbinë.

E për këtë reagoi ministri në largim i Financave Avdullah Hoti i cili tha se ai nuk e bllokon asnjë punë, por vetëm e zbaton buxhetin ashtu siç është aprovuar. Por ministrja Tahiri tha se këto ka mund t’i thotë dhe më herët, por s’ka qenë koha dhe se tash është korrekte të flas për këto bllokada.

Por pas akuzave të ministres Tahiri, reagoi dhe kryeministri në ikje Isa Mustafa. Ai tha se nuk është korrekte të flitet në këtë mënyrë. “Nuk është korrekte që ju të flisni se është bllokuar MPB. Ministrin e brendshëm e kemi këtu”, tha ai.

E Tahiri i tha Mustafës, se pasi që janë kah fundi, duhet të dihen gjërat , duke e mbyllur kështu këtë debat. “Iu lutem. Unë kam përgjegjësi për zbatim bashkë me gjithë juve. Por vërtetë, pasi jemi kah fundi kam dëshirë të dihen gjërat”, tha ajo.

Ndryshe, Kabineti qeveritar ndërkaq aprovoi vendimin për hartimin e Programit për Reforma Ekonomike 2018-2020 si dhe ndau 342 mijë euro për nevoja të Doganës së Kosovës.

Back to top button