Mustafa flet për Specialen

Mustafa flet për Specialen

I pari i LDK-së, Isa Mustafa deklaroi se çështja e dhomave të specializuara është e përfunduar. Ky qëndrim i LDK-së bie ndesh me atë të VV-së, pasi që kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti gjatë fushatës kishte deklaruar se do të provojë ta zhbëjë këtë Gjykatë.

Në “Argument Plus” në RTV21, Mustafa deklaroi se çështja e Speciales është votuar nga Kuvendi.

“I kam dëgjuar deklaratat e zotit Kurti, por gjërat nuk ndryshojnë mbi bazën e deklaratave. Mendoj se është një çështje që për neve është e përfunduar. Është e vështirë të rihapet, sepse ka pasur tentativa të rihapet edhe në një formë të bihet vendimi për anulimin e këtyre dhomave në fund të vitit 2017. Dhe ka dalë që edhe rrëzimi i qeverisë sime është bë edhe për këtë arsye që pastaj dikush të mund të ketë kapacitete që ta bëjë edhe atë. Por është pa që ka pasur reagim të madh ndërkombëtar dhe nuk është arritë”, deklaroi i pari i LDK-së.

Dje në takimin e katërt me radhë të grupeve punuese të LDK-së dhe VV-së u diskutua për sundimin e ligjit, e me theks të veçantë për Specialen. Sa i përket Gjykatës Speciale, u tha se dy subjektet pajtohen parimisht që këto dhoma të specializuara duhet të vazhdojnë të funksionojnë në kuadër të ligjeve të Kosovës.

Takimi i radhës LDK-VV do të jetë të hënën, në ora 15:00./21Media