Mustafa: Për përqarjet trumbetojnë ata që synojnë të na dëmtojnë në procesin zgjedhor

Mustafa: Për përqarjet trumbetojnë ata që synojnë të na dëmtojnë në procesin zgjedhor

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se LDK-ja nuk përqahet, në qoftë se, dy-tre (ish) deputetë nuk janë propozuar për Kryesi, kurse të njëjtit janë propozuar dhe janë zgjedhur në organin më të lartë të LDK-së, në Këshillin e Përgjithshëm. “As në rastin se nga një degë është zgjedhur një e re, (Kryetare e Forumit të Gruas) e nuk është propozuar, kësaj radhe, Kryetari i Komunës”.

Mustafa ka thënë se disa shpenzuan shuma të majme parashë të vjedhura për ta përqarë LDK-në.

“LDK është unike në vizionin e saj për të ardhmen. Për përqarjet trumbetojnë ata që synojnë të na dëmtojnë në procesin zgjedhor.  Nuk përqahet LDK-ja, në qoftë se, dy-tre (ish) deputetë nuk janë propozuar për Kryesi, kurse të njëjtit janë propozuar dhe janë zgjedhur në organin më të lartë të LDK-së, në Këshillin e Përgjithshëm. As në rastin se nga një degë është zgjedhur një e re, (Kryetare e Forumit të Gruas) e nuk është propozuar, kësaj radhe, Kryetari i Komunës. Nuk i cilësoj të pavend pritjet e atyre që nuk janë zgjedhur në Kryesi, por i vlerësoj të pa vend dhe qëllimkëqia deri edhe te fjalori rrugaq i atyre që këtë e ciësojnë si punë të klaneve, komunistëve dhe të SHIK-ut. Të tillë janë ata që e thonë, jo LDK-ja. Të tillët bien e qohen me këto botëkuptime, si me dashurinë e pare.  Jam i vetëdijshëm për rrethin në të cilin jetojmë dhe se nga disa shpenzohen shuma të majme parashë të vjedhura për ta përqarë LDK-në, por unë nuk rri , nuk punoj dhe nuk shoqërohem me të tillët. I shpërfilli! Janë qytetarët, ata që vlerësojnë se cilët janë njerëzit më të përgatitur e më të pakorruptuar, se kush mund t’i qojë në BE e kush ua kallë rrugën për BE, se kush ka dije ta zhvillojë ekonominë e kush ka prirje që ta shkatërrojë buxhetin….  Sa i përket Kryesisë, ajo ka një përbërje që siguron suksese. Kam besim në qytetarët tanë!”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Caktimi i mandatarit për kryeministër dhe koalicioni i mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje do të jenë dy temat e nxehta të cilat do të diskutohen në mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo mbledhje sipas burimeve të Express brenda LDK-së do të nisë të hënën në orën 14:00, dhe do të mbahet në selinë qendrore të partisë./21Media