Mustafa e quan absurde kërkesën e BE-së për Trepçën

“Një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë!”

Kryetari  i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kërkesën e Bashkimit Evropian që Trepça të përfshihet në dialogun me Serbinë, e ka quajtur absurde dhe të papranueshme.

“Më habiti kërkesa e BE-së që çështja e Trepçës të trajtohet në dialogun me Serbinë. Kosova në asnjë fazë nuk ka pranuar që për Trepçën dhe pasuritë e saj natyrore, të cilat janë në territorin e saj, të dialogojë me Serbinë. Është kjo një kërkesë absurde dhe e papranueshme, ashtu siç është e papranueshme që me Serbinë të dialogohet për kufijtë dhe për territorin e Kosovës”, ka shkruar Mustafa në një status në rrjetin social, Facebook.

Ai më tutje është shprehur që duhet kundërshtuar që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogohet për çështjet e sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Kosovës.

Duhet të jemi bashkë dhe fuqishëm të kundërshtojmë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror. Çështjet e shtetësisë sonë! Sepse, kështu si kanë filluar, një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë!”, thuhet në statusin e Isa Mustafës.

Kundër kësaj kërkese është deklaruar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë që reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr./21Media

Back to top button