Mustafa tha se LDK nuk bashkëpunon me këtë koalicion në procesin e dialogut, sepse nuk i beson

Mustafa tha se LDK nuk bashkëpunon me këtë koalicion në procesin e dialogut, sepse nuk i beson

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa tha se bashkëpunimi për dialog me Serbinë nuk mund të bëhet duke e akuzuar LDK-në se po lufton për pushtet dhe kolltukë.

“Në fakt oreksi për pushtet dhe zhveshja nga çdo normë e përgjegjësisë e PDK-së dhe Kryetarit të saj me organizimin e mocionit të mosbesimit së bashku me ata që e kallën Kosovën për dy vjet me radhë, që na gjuajtën me vezë, me gaz lotsjellës, me shishe mollotovi, që na sulmuan shtëpitë dhe familjet, e sollën vendin në këtë gjendje ku jemi. Pa një mazhorancë qeverisëse, me një qeveri e cila çdo ditë merr vendime (të mëdha) skandaloze mbi vendimet skandaloze të ditës paraprake”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij “Facebook”.

Mustafa kujtoi edhe kohën kur u rrëzua qeveria e drejtuar nga LDK-ja, duke thënë se kryetari i PDK-së dhe zëvendësi i tij krekoseshin dhe vazhdojnë të krekosen se e rrëzuan qeverinë e drejtuar nga LDK, ku ishin edhe vetë, sepse nuk kishte guxim të merr vendime të mëdha. “Ne u themi atyre sot, urdhëroni ju dhe merrni vendime të mëdha, nëse mundeni!”, ka shkruar i pari i LDK-së.

Sipas Mustafës për LDK-në problemi nuk qëndron as te pushteti as te kolltukët, siç thotë ai kur është fjala te temat me interes të vendit. “Deputetët tanë e votuan marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. E votuan për interes të qytetarëve, jo për merita të koalicionit qeverisës. Sepse krejt Kosova e di se kush e pengoi demarkacionin dhe liberalizimin e vizave. E penguan me kauza të rrejshme dhe veprime të dhunshme ata që sot qeverisin me vendin”, tha tutje Isa Mustafa.

Ai shtoi se LDK nuk bashkëpunon me këtë koalicion në procesin dialogut, sepse nuk i beson. “Ne e themi qartë se nuk ikim nga përgjegjësia jonë për vendin, por rrjedhimisht nuk ndajmë përgjegjësi me ata që u treguan të papërgjegjshëm. As nuk bëjmë marrëveshje me njerëz, të cilëve nuk iu besojmë. LDK, dhe unë si kryetar i saj, do të dëshironim që të ekzistonte një nyje e besimit ndërmjet forcave politike në Kosovë. Pa besim reciprok nuk ecin temat e mëdha”, ka shkruar Mustafa.

Në fund kreu i LDK-së, Isa Mustafa i ftoi për zgjedhje.
“Ejani të matemi në zgjedhje, i respektojmë rregullat, pastaj rreshtohemi për dialog me një qeveri të shumicës, me përfshirje të gjerë dhe platformë që merr besimin e 2/3 të deputetëve të Kuvendit”, u shpreh Mustafa në një postim në “Facebook”./21Media