Mustafa tha se është për keqardhje plasimi i fotove të tilla

Mustafa tha se është për keqardhje plasimi i fotove të tilla

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në konferencën pas përfundimit të Kuvendit të partisë së tij, ka folur edhe për publikimin e fotos nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, që u pretendua të jetë skenë e një dhunimi nga forcat serbe, por që më pas rezultoi të mos ishte ashtu.

Mustafa tha se është për keqardhje plasimi i fotove të tilla pa e ditur burimin sepse prekin dinjitetin e grave dhe burrave të cilët kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kreu i LDK-së u shpreh se nuk duhet të vihet në dyshim ekzistimi i dhunimeve, gjenocidit dhe agresionit serb para 20 vitesh në Kosovë, por se me të tilla çështja duhet të merret drejtësia.

Ai tha se nuk e bën përgjegjëse vetëm deputeten Brovina në këtë rast, por edhe partinë e saj dhe tërë koalicionin qeveritar që, sipas tij, mbulon paaftësinë për të udhëhequr me të tilla skandale.

“Nuk e shoh në këtë rast përgjegjëse vetëm zonjën Brovina për këtë situatë, unë shpreh keqardhje që asaj i ka ndodhur kjo sepse është një grua e cila në një formë e ka një histori të saj të angazhimit për të drejtat e grave dhe për të drejtat e njeriut, por është problemi te politikat e PAN-it, d.m.th. të atyre që sot janë në pushtet, edhe të Partisë Demokratike dhe të subjekteve të tjera duan me çdo kush të mbajnë pushtetin duke prodhuar skandale dhe duke prodhuar situata në mënyrë që përmes tyre ta mbulojnë atë çfarë sot po mungon në Kosovë, që po mungon një qeverisje e drejtë dhe po mungon zgjidhja e problemeve të qytetarëve dhe korrupsioni i lartë”, deklaroi Mustafa.

I pyetur se mbrapa këtij skandali, sipas Brovinës, qëndron një ish-deputete e LDK-së, Mevlyde Saraçi, Mustafa tha se kjo mbetet çështje e drejtësisë ta zgjidhë dhe se Saraçi ka dalë me një deklaratë të sajën.

Mustafa shtoi se të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe i tërë opinioni publik në këto momente nuk ka nevojë për të tilla skandale.