Mustafa: Pengesat për demarkacionin s’mund të vazhdojnë

Mustafa: Pengesat për demarkacionin s’mund të vazhdojnë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se demarkacioni është i drejtë dhe duhet të ratifikohet. Kurse, nëse ky votim do të shtyhet, përgjegjësinë për mos liberalizimin e vizave duhet ta marrin ata që e pengojnë.

Këto komente kryeministri Mustafa i bëri në shënimin e njëvjetorin të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe pranimit të Doganës në Organizatën Botërore të Doganave.

Mustafa tha se do t’i bëjnë përgatitjet për Demarkacionin dhe do ta përcjellin në Kuvend.

“Kam kërkuar po ashtu në Maltë që të rishqyrtohet edhe një herë ky kriter sepse e konsiderojmë që është një kriter i tepërt për Kosovën ose që të gjendet një alternativë që kriteret të modifikohen në mënyrë që të mos aplikohet si kusht strikt që duhet njëherë ta plotësojmë dhe pastaj ta marrim të drejtën e liberalizimit. Por që të na jepet një kusht që për një periudhë të caktuar kohor ne duhet ta plotësojmë atë ose do të na tërhiqet liberalizimi. ”, tha ai.

Mustafa tha se duhet ta ratifikojnë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi. Ai tha se marrëveshja është e drejtë dhe nuk ka asnjë gabim në caktimin e vijës kufitare.

“Në qoftë se kjo çështje do të shtyhej, atëherë duhet ta marrin përgjegjësinë ata që e pengojnë liberalizimin, sepse do të kaloj kohë e gjatë që edhe një herë Kosova të kthehet në agjendën e Bashkimit Evropian për këtë çështje”, deklaroi ai.

Sa i përket Asociacionit, Mustafa, tha se janë të gatshëm të fillojnë me hartimin e statutit të Asociacionit, por duke u respektuar në tërësi vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa, sa i përket zgjedhjeve serbe që do të mbahen nesër, kryeministri Mustafa tha se kanë lejuar që të bëhet grumbullimi i votave të cilat do të numërohen pastaj në Serbi.

“Është fjala që ne kemi pa të arsyeshme që të vazhdohet praktikën që e kemi aplikuar këtu edhe në vitet e kaluara që të mundësojmë që ata të votojnë. Gjithë qytetarët që kanë dy shtetësi dhe që ju takon kjo e drejtë në mënyrë që ata të mos maltretohen të shkojnë atje”, tha ai.

Serbëve do t’u mundësohet të votojnë nën monitorimin e OSCE-së./21Media