Mustafa: Me Serbinë të zgjidhim njëherë e përgjithmonë çështjen e energjisë

Mustafa: Me Serbinë të zgjidhim njëherë e përgjithmonë çështjen e energjisë

Kryeminisri në detyrë Isa Musafa në takimin e kryeministrave të gjashtë vendeve ballkanike të zhvilluar në vilat qeveritare në Durrës të Shqipërisë, kërkoi që koha e pritjes në kufi për eksportet kufitare të zvogëlohet.

“Koha e përgatitjes së dokumenteve ose e kapërcimit të dokumenteve për eksport është 62 orë që na merr ne në kufi me vendet tjera, ndërkaq është vetëm 6 orë të importimit të mallrave. Do të thotë është një diferencë prej 10 herë më e madhe, pra 10 herë duhet të presim më shumë ne në kufijtë e vendeve tjera për të rregulluar dokumentet, sesa të tjerët presin në kufirin e Kosovës”, tha Mustafa.

Ai, sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, kërkoi veprime konkrete, duke thënë se nuk mjafton vetëm vullneti i mirë.

“Prandaj, është mirë që këtë çështje ta trajtojmë, ta rregullojmë sepse nuk na ndihmojnë vetëm deklarimet dhe vullneti i mirë politik që është këtu”, tha Mustafa.

Mustafa në Samitin e Durrësit foli edhe për moszbatimin e marrëveshjes së energjisë të nënshkruar me Serbinë në vitin 2013 gjatë dialogut të Brukselit.

“Me Serbinë të zgjidhim njëherë e përgjithmonë çështjen e energjisë në mënyrë që ta funksionalizojmë investimin që e kemi bërë së bashku me Shqipërinë për interkoneksionin e energjisë elektrike. Përmes Bankës Gjermane për Zhvillim kemi investuar mbi 70 milionë euro dhe ai investim ka mbetur jofunksional”, tha më tutje Mustafa./21Media