Mustafa në Trieste ka theksuar vendosmërinë e Kosovës për bashkëpunim rajonal

Mustafa në Trieste ka theksuar vendosmërinë e Kosovës për bashkëpunim rajonal

Kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa në Samitin e Triestet ka kërkuar që Serbia dhe Bosnja të eliminojnë barrierat në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave nga Kosova.

“Mora pjesë sot në Samitin Triestes, ku ishin të pranishëm liderët e disa shteteve të BE-së dhe kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në takimin qendror ku ishin të pranishëm edhe kryeministri i Italisë, njëkohësisht organizatori i Samitit, Paolo Gentiloni, kancelarja Gjermane, Angela Merkel, presidenti i Frances, Emmanuel Macron, sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini e personalitete të tjera, theksova përkushtimin e Republikës së Kosovës për rrugën integruese evropiane si dhe i njoftova për zhvillimet aktuale dhe perspektivën e proceseve në Kosovë”, thuhet në postimin e Mustafës.

Po ashtu në postimin e tij Mustafës thuhet ,”njëkohësisht, theksova vendosmërinë e Republikës së Kosovës për bashkëpunim rajonal, duke kërkuar që Serbia dhe Bosnja e Hercegovina të eliminojnë barrierat në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave si dhe barrierat tjera të Serbisë në energjetikë e fusha të tjera”.

Mustafa ka treguar së gjatë këtij Samiti kanë nënshkruar edhe Traktatin e Komunitetit të Transportit.

“Nënshkruam edhe Traktatin e Komunitetit të Transportit, marrëveshje me rëndësi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit si dhe në raport me BE-në dhe shtetet e saj”, përfundon postimi i Mustafës./21Media