Mustafa krahason numrin e këshilltarëve të Qeverisë së tij me atë të Haradinajt

Mustafa reagoi rreth numrit të këshilltarëve të Qeverisë Haradinaj

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka reaguar, duke u shprehur se nuk i ka pasur më shumë se 11 këshilltarë në kohën sa ishte në krye Qeverisë së Kosovës.

Reagimi i Mustafës ka ardhur pasi kryeministri i tanishëm, Ramush Haradinaj ka vendosur të rrisë të punësuarit në Qeveri duke i emëruar deri 35 këshilltarë.

“Ditë më parë u publikua se Kryeministri i tanishëm ka vendosur ti ketë 35 këshilltarë e disa zëvendëskryeministra nga 11. Nga kabineti i kryeministrit u arsyetua se edhe qeveria e drejtuar nga LDK ka lënë pas vetes numër të madh të këshilltarëve, flitej për qindra. Ata që japin deklarata duhet ta dinë se qeveria që shkon nuk lë pas vetes asnjë këshilltar, pasi këta shkojnë me qeverinë (Kryeministrin, zv.kryeministrat dhe ministrat)”, ka shkruar Mustafa në Facebook, duke treguar sa këshilltarë e zv.kryeministra ka pasur qeveria e tij.

“Në qeverinë time, Kryeministri i ka pasur 11 këshilltarë (të brendshëm e të jashtëm), zv.kryeministrat nga gjashtë dhe ministrat nga 5. Qeveria ka pasur rreth 40 zëvendësministra”, është shprehur tutje Mustafa.

I pari i LDK-së ka shkruar se numri tjetër prej rreth 400 të punësuarve pranë Zyrës së Kryeministrit janë punonjës të Agjencisë së Veterinarisë dhe të Institutit të Statistikës, për të cilit siç është shprehur ai kishin iniciuar procedurat ligjore që të kalojnë në ministritë përkatëse.

“Natyrisht se nuk është çështje ime të udhëzoj Kryeministrin e tanishëm se çfarë kabineti duhet të ketë, sepse kjo i përket llogaridhënies politike të çdonjërit që ushtron funksione politike. Por, e ndjej të nevojshme të sqarojë para opinionit realitetin. Edhe pse, një numër i përkrahësve të mi po më thonë, profesor mos u merr me ta”, ka përfunduar Mustafa.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj para dy ditëve ka komentuar numrin e lartë të këshilltarëve dhe zyrtarëve në Qeverinë e Kosovës, duke thënë se prej se ka ardhur në pozitën e shefit të ekzekutivit nuk ka punësuar më shumë se 60 zyrtarë dhe këshilltarë. Ai ka thënë se të dhënat e fundit në media për punësim të rreth 400 zyrtarëve në Zyrën e Kryeministrit janë nga Qeveria “Mustafa” dhe Qeveria “Thaçi”./21Media

Back to top button