Mustafa: LDK-AKR-Alternativa, koalicion që lufton korrupsionin

Mustafa ka thënë se  Mustafa koalicioni  LDK-AKR-Alternativa do të punojë në integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike

Lidhja Demokratike e Kosovës sot pasdite në Prishtinë ka prezantuar zyrtarisht kandidatët për deputetë për Kuvendin e Kosovës nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se LDK-AKR-Alternativa është koalicioni i cili lufton korrupsionin dhe punon për integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike.

“Është një koalicion i zhvillimit perspektivës që lufton korrupsionin dhe ka për synim integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike. Gjatë këtyre dy javëve të ardhshme do të bëjmë përpjekje për shpalosjen e programit qeverisës dhe të marrim besimin nga qytetarët e Kosovës më 11 qershor”, ka thënë Mustafa.

I nominuari për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka lavdëruar listën me kandidatë për deputetë nga radhët e këtij koalicioni, duke thënë se ata do ta kërkojnë votën e qytetarëve derë më derë.

“Është lista më e mirë e këtij koalicioni e kandidatëve për zgjedhjet e 11 qershorit. Me plot besim do të punojmë bashkë. Programi final do të bëhet publik para qytetarëve me një fushatë dinjitoze. Do të kërkojmë besimin e qytetarëve derë më derë”, ka thënë Hoti.

Edhe Agim Bahtiri nga AKR tha se lista e koalicionit është me kandidatë të pastër, të pa akuzuar.

“Shpresojmë shumë që do t’ia dalim në këto zgjedhje. Është një listë me kandidatë të pastër të pa akuzuar dhe dënuar. Andaj ky kombinim është mjaft mirë. Rrini të qetë dhe punoni me vullnet”, ka thënë Bahtiri.

Ndërsa Ilir Deda nga Alternativa tha se koalicioni LDK-AKR- Alternativa është koalicion i vendosmërisë për shtet-ndërtim dhe zhvillim.

“LDK-AKR-Alternativa nuk po na pyesin pse bashkë, por kërkojnë programin në të cilin do ta çrrënjosë korrupsionin dhe klientelizmin”, është shprehur ai.

Sylejman Çerkezi tha se është me rëndësi që kryetari Mustafa u tërhoq nga kandidatura për deputet, gjë të cilën e quajti akt burrëror, ndërsa shprehu bindjen se në zgjedhjet e 11 qershorit do të dalin fitues./I.Shabani/

Back to top button