Mustafa tha se  për VV-në mbesin dyert e hapura deri në mesnatë për bashkëpunim

Mustafa tha se  për VV-në mbesin dyert e hapura deri në mesnatë për bashkëpunim

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa  ka thënë se Vetëvendosje mund t’i ofrojë mbështetje Vjosa Osmanit ashtu si shumë qytetarë që kanë mbështetur kandidaturën e saj.

“Siç kemi deklaruar edhe gjatë ditës ne qëndrojmë të hapur për VV për një bashkëpunim për mirëbesim për ti ofruara mbështetje Vjosa Osmanit. Ne presim deri në ora 00:00 jemi të hapur. Ne e përfundojmë të hënën përzgjedhjen e deputetëve, pastaj për ta dërguar në KQZ. Ne kemi qenë të hapur dhe jemi të hapur për VV-në deri në ora 00:00”, ka thënë Mustafa në Dukagjinin

Besian Mustafa ka thënë se LDK listat do t’i përpilojë nga dita e hënë duke pritur edhe propozimet e degëve të LDK-së.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së ka thënë se në një listë të përbashkët LDK dhe Vetëvendosje do të duhej të bashkëpunonin e jo të futeshin në garë gjatë fushatës me njëri tjetrin.

Mustafa ka thënë se kërkesa e Vetëvendosjes nuk është e pranueshme por mbetet ende e hapur oferta për të bashkëpunuar në mbështetje të Vjosa Osmanit.

I pyetur nëse ka pasur ndonjë kontakt për bashkëpunim me Alternativën, Mustafa ka thënë se Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së kishte marrë vendim për biseda vetëm me Vetëvendosjen dhe sipas tij nuk ka pasur komunikime me palë tjera përfshirë edhe Alternativën.