Mustafa: Në Prekaz ndjejmë çmimin e lartë të lirisë së atdheut

Homazhe te varrezat e dëshmorëve në Kompleksin Memorial në Prekaz

Me rastin e “Ditës së Veteranit” dhe 27 vjetorit të sulmit të parë të forcave të armikut kundër familjes Jashari në Prekaz, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Kompleksin Memorial në Prekaz duke thënë që pikërisht në këtë vend secili qytetar ndjen çmimin e lartë të lirisë.

“Në Prekazin e Shqiptarisë, pranë varrit të Komandantit Legjendar Adem Jasharit. I falemi përjetë heroizmit dhe flijimit të familjes Jashari. Në Prekaz ndjenë çmimin e lartë të lirisë së atdheut. Urime Dita e Veteranit!”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij “Facebook”.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se 27 vite më parë u ndezën shkëndijat e para për lirinë që e gëzojmë sot.

Ai e ka demantuar lajmin se nuk do ketë aktivitete për të shënuar Ditën e Veteranëve.

“27 vite më parë u ndezën për herë të parë shkëndijat e lirisë. Ku ne si veteranë e kemi këtë ditë të shenjt dhe pikërisht sot me Qeverinë dhe ne si organizatë e veteranëve që është organizuar kjo ditë të festohet sot ka aktivitete në tërë territorin e Kosovës, në të gjitha varrezat e dëshmorëve të vendit do të bëhem homazhe”, ka deklaruar ai.

Homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” kanë bërë homazhe edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni të sigurisë në Kosovë, Rashit Qalaj u shpreh Policia e Kosovës do e luftojë krimin dhe do ofrojnë siguri duke kujtuar ata që ranë për lirinë e Kosovës.

“T’i kujtojmë ato se nëse ne nuk e kujtojmë të kaluarën tonë, vlerat tona nuk kemi edhe të ardhme, ne si Policin e Kosovës do të vazhdojmë punën tash me të tjera që qytetarëve t’u sigurojmë shërbime sa më të mira që qytetarët e Kosovës të jetojnë të lirë që sa më pak të ketë krim, normalisht duke kujtuar ata që kanë kontribuar që këtë ditë ta gëzojmë ne sot”, tha ai

Kurse, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari derisa e kujton ditën e sulmit ndaj familjes së tij thotë se sot janë shpirtërisht më mirë sepse Kosova ka pavarësinë dhe ushtrinë e saj

“Para 27 viteve ishte më ftohtë, ishte borë, acar sot është një ditë më e ngrohtë edhe fizikisht edhe shpirtërisht sepse sot bëmë nderime duke e ditur se 27 vite para ku kemi qenë sot jemi shtet, kemi pavarësinë, kemi Kushtetutën kemi ushtrinë e shumë gjëra të mira që janë duke i ardhur vendit tonë”, u shpreh Jashari.

Në pasditen e sotme Dita e Veteranëve do shënohet me një ceremoni ku pjesëmarrjen e tij e ka paralajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj./21Media

Back to top button