Mustafa përkujtoi deputetin Agim Kikaj

Mustafa përkujtoi deputetin Agim Kikaj

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa sot ka përkujtuar deputetin e Kuvendit të Kosovës, Agim Kikaj.

“Para dy vitesh Kosova dhe LDK-ja humbi veprimtarin e shquar politik dhe njeriun e mrekullueshëm, Agim Kikajn. Agimi kishte veti të larta njerëzore dhe të punës. Përkushtimi për qytetarët e Kosovës dhe veprimtaria e tij politike për ndërtimin e paqes dhe institucioneve demokratike të Kosovës, e bëjnë atë sot të paharrueshëm”, është shprehur Mustafa.

Kryetari i LDK-së, siç bëhet e ditur në komunikatë ka theksuar se Kikaj ishte një prej personaliteteve kryesore politike në Kosovë.

Agimi ishte personalitet i kompletuar, atdhetar dhe intelektual, në veçanti njeri me shumë respekt.

“Agimi ishte miku im dhe i gjithë qytetarëve. Modestia e tij, përkushtimi për mbrojtjen e interesave të përgjithshme të qytetarëve të Kosovës dhe përkushtimi për mbrojtjen e qëndrimeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e bëjnë atë shëmbëlltyrë për të gjithë ne. Me përkushtimin e tij më të madh i dha Kosovës një veprimtari të pasur dhe la pas një biografi të jashtëzakonshme”, ka shtuar Mustafa,

Kosova dhe Lidhja Demokratike, sipas Mustafës i janë mirënjohëse Kikajt për kontributin e tij të madh.

Agim Kikaj ka vdekur në maj të vitit 2017. Kikaj ka lindur më 10 shkurt 1963 dhe ka përfunduar Fakultetin Juridik dhe atë të Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe./21Media