Mustafa ka paralajmëruar edhe takime tjera

Mustafa ka paralajmëruar edhe takime tjera

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani sot kanë zhvilluar takimin e parë pas zgjedhjeve, ku kanë diskutuar për një koalicion të mundshëm për qeverisje të vendit.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa pas këtij takimi ka thënë se do të ketë takime edhe gjatë ditëve në vijim, ku të dy subjektet do të përpiqen të gjejnë zgjidhje për pjesëmarrjen në Qeveri.

“U takuam sot me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, diskutuam mundësitë e bashkëqeverisjes, LDK- VV, si dy subjekte që dolën fituese në këto zgjedhje.
Në ditët në vijim do të punojmë në përafrimin e objektivave qeverisëse, ndërkaq pasi të përfundojë krejtësisht procesi i numërimit të të gjitha votave dhe të dihet subjekti i parë, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje për mënyrën e participimit në Qeveri.Vendimin përfundimtar për bashkëqeverisje do ta marrin organet përgjegjëse të LDK-së.”
, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Në anën tjetër edhe Kurti pas takimit është shprehur se nuk kanë folur për emra të përveçshëm dhe ende nuk ka diçka konkrete, vetëm se janë marrë vesh se qeverisja e ardhshme do të ketë më pak ministri se ajo paraprakja.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës u mbajtën më 6 tetor në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2545 vendvotime. Nga rezultatet preliminare të KQZ-së, VV ka fituar 25.49 për qind të votave, pasur nga LDK me 24.82 për qind të votave. Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta./21Media