Mustafa përkujton të rënët në Masakrën e Reçakut

“15 janari i vitit 1999 është ndër ditët më të rënda, të njërit nga vitet më të rënda, të historisë së Kosovës”

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa me rastin e 20 vjetorit të masakrës së Reçakut ka përkujtuar dëshmorët e kësaj ngjarjeje të tmerrshme.

Përmes një komunikate për media, citohet se Mustafa ka përmendur  deklaratën e shefit të misonit të OSBE-së, William Walker, i cili kishte vizituar Reçakun nga afër, me ç’rast kishte thënë “nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit!”.

“Sot 20 vjet më parë, banorët e Reçakut u zgjuan të rrethuar nga forcat e regjimit serb dhe 45 banorë të pa armatosur të këtij fshati u masakruan pamëshirshëm po të njëjtin mëngjes. Të nesërmen, shefi i misionit të OSBE-së. William Walker, pas një vizite nga afër, kishte deklaruar, “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit!”, është shprehur Mustafa.

Këtë ditë, Mustafa e ka kujtuar si ditën më të vështirë të njërit nga vitet më të rënda të vendit tonë.

“15 janari i vitit 1999 është ndër ditët më të rënda, të njërit nga vitet më të rënda, të historisë së Kosovës. Kjo ditë, poashtu, i paraqiti botës fytyrën e vërtetë të regjimit të Millosheviqit dhe planeve të tij fashiste, duke shënuar kështu kthesën e madhe të çasjes së komunitetit ndërkombëtar ndaj këtij regjimi që rezultoi në bombardimet e NATO-s 78 ditë rresht. U qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka shkruar, Isa Mustafa.

Kosova përkujton sot 20-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku ishin vrarë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë./21Media 

Back to top button