“Po krijojmë kushte që bizneset e Kosovës të jenë të barabarta në tregun e BE-së”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2017” , i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës

I shoqëruar nga zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryeministri Mustafa fillimisht ka vizituar bizneset e shumta nga Kosova dhe më gjerë që kanë ekspozuar prodhimet e tyre në këtë Panair.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa falënderoi Odën Ekonomike për punën e bërë dhe për organizimin e Panairit, në të cilin janë rreth 150 firma të rëndësishme të Kosovës.

“Kur e shohim këtë, në një ambient të tillë, të duket që nuk je në Kosovë, por në një vend perëndimor, sepse kemi produkte që jo vetëm përngjajnë, por edhe për nga cilësia dhe konkurrenca janë ato siç prodhohen edhe në fabrikat në shtetet e Bashkimit Evropian dhe unë jam shumë i lumtur që kemi një ekonomi të tillë, kemi biznesmenë të tillë, kemi ndërmarrës të tillë”, tha kryeministri.

Më tutje, kryeministri Isa Mustafa është njoftuar nga përfaqësuesit e bizneseve se është rritur interesimi i qytetarëve dhe i vizitorëve për produkte, e po ashtu është rritur edhe gama e produkteve të cilat po i ekspozojnë firmat në këtë Panair.

Kryeministri Isa Mustafa, falënderoi edhe mediat për përcjelljen e sektorit ekonomik, gjë që, siç tha kryeministri, flet se së bashku po ndërtohet një klimë e mirë e zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se vizita e kryeministrit në këtë panair është motivim shtesë për biznesmenët që të avancojnë komunikimin dhe dialogun me strukturat më të larta institucionale në Kosovë.

Ai, po ashtu, tha se në këto dy vjet janë bërë hapa pozitiv në krijimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë.

Back to top button