Sot dita e fundit për deklarimin e koalicioneve

Sot dita e fundit për deklarimin e koalicioneve

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa sot në një prononcim për media tha ende nuk ka diçka konkrete sa i përket koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa ka shtuar se pozita e kryeministrit është ajo që po e pamundëson marrëveshjen.

“Koalicioni do të bëhet në një ambient në të cilin LDK do ta kishte kryeministrin sepse veç ashtu jemi të sigurtë. Çdo zgjidhje tjetër na çon të konkurrojmë veç e veç”, u shpreh Mustafa.

Ai  u shpreh se posti i kryeministrit po e zvarrit dhe po e pengon procesin e një koalicioni me VV-në, raporton rtv21.tv.

I pari i LDK-së theksoi edhe njëherë se nuk do të hyjnë me ndonjë partnerë tjetër në zgjedhje përveç me VV-në, duke shtuar se nëse nuk arrihet marrëveshje do të shkojnë në zgjedhje veç e veç, pastaj do të takohen pas 6 tetorit për ndonjë koalicion të mundshëm.

Partitë politike të cilët do të hyjnë në zgjedhje në koalicion me një parti tjetër sot e kanë ditën e fundit për ta deklaruar atë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 6 tetor të këtij viti, fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë nga 25 shtator deri më 4 tetor./21Media