Reagimi i Mustafës

Reagimi i Mustafës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në një vjetorin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ka pyetur se ku është “kufiri i Kosovës me Malin e Zi”. Mustafa në një postim në Facebook ka kujtuar të gjitha ngjarjet që erdhën pas marrëveshjes me Malin e Zi.

“Ku është kufiri i Kosovës me Malin e Zi? E shtroj këtë pyetje, 365 ditë pas ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi. Për aq sa mbaj mend, nga vjeshta e vitit 2015 e deri në fund të vitit 2016, duke marrë shkas nga kjo Marrëveshje, u organizuan veprime të dhunshme dhe kriminale nga ata që ndërtuan kauzën se Kosova me këtë marrëveshje po humb 8200 hektarë.  U pengua puna e Kuvendit duke hedhur gaz lotësjellës, shishe të ujit e sprej të syve; nga gurët dhe objeket e forta të protestuesve u plagosën shumë policë, disa edhe me pasoja afatgjata; iu vënë flaka me shishe molotovi ndërtesës së Qeverisë, u sulmua me minahedhës ndërtesa e Kuvendit; u sulmuan ministrat me vezë në rrugë, u gjuajtë bombë në ndërtesën e RTK-së dhe te kryetari i Komisionit shtetëror për shenjimin e vijës kufitare. Unë dhe eskorta ime, e kryeministrit, për mbi tetë muaj rresht u sulmuam. Një hërë me gurë nga pusia në të dalë nga Suhareka. Parreshtur u gjuajtëm me vezë, me sfera me ngjyrë, me iriq metalik, të punuar enkas për atentat ndaj meje në rrugën që qonte në shtëpinë time në Prishtinë. U sulmua shtëpia ime nga protestuesit me shishe të molotovit. Ii vënë flaka, kur ishte vetëm bashkëshortja ime aty.”, ka shkruar Mustafa.

Më tej ka pyetur se çfarë po ndodh sot.

“Dhe sot?Asgjë!  Ministri i Jashtëm i Malit të Zi kishte deklaruar se nuk kanë asnjë kontest të demarkacionit me Kosovën. Kufiri mbeti aty ku ishte me Marrëveshje. Shpejtim Bulliqi, i cili me një grup i doli në krah z. Haradinaj për kauzën e tij të rrejshme, u bë kryetar i Komisionit. E z. Haradinaj, Kryeministër. Tani heshtin, nuk veprojne, veç se e ushqejnë me para Komisionin e tyre. Heshtin të gjithë ata që i zënin ekranet televizive dhe mediat tjera kundër Marrëveshjes së demarkacionit.Heshtin edhe deputetët, të cilët atëherë me popullizëm të pashoq kundërshtonin marrëveshjen. Disa prej tyre edhe tani deputet e disa jo.
Unë nuk po hesht sot. Por po i pyes të gjithë ata që me kauzë të rrejshme organizuan dhe përkrahën dhunën kundër demarkacionit: ku jeni sot, sepse kufiri mbeti aty ku ishte. Aty ku ju, pas gjithë asaj katrahure që ia shkaktuat vendit dhe asaj marrie, e gëlltitët dhe e votuat.”, ka deklaruar Mustafa.

Lideri i LDK-së ka adresuar kritika për Qeverinë, Kuvendin e Komisionin Shtetëror, nga të cilët ka kërkuar që të pranojnë fajin, pasi që sipas tij ‘i morën në qafë qytetarët dhe i privuan nga liberalizimi i vizave’.

“Pyes Kryeministrin e vendit, Qeverinë, Kuvendin, Komisionin shtetror. Valla, e ndjej të nevojshme por edhe përgjegjësi para opinionit dhe anëtarësisë së LDK-së, të pyes edhe disa deputet të LDK-së, partisë që unë e drejtoj, pse me aq popullizëm e kundërshtuan demarkimin kur LDK ishte në krye të Qeverisë, e me aq dashuri e votuat, kur LDK u rrëzua nga Qeveria.
Pse nuk po iu dëgjohet zëri sot? Pse sot s’po kërkoni që kufiri të kthehet në Çakorr e në Zhleb? Çfarë ndodhi me ju? Kush ju qiti fall?
Pranone, gjithë ju, se e keni pasur vetëm për vota dhe pushtet. Pranone edhe fajin që i morët në qafë qytetarët dhe i privuat nga liberalizimi i vizave për shkak të egos tuaj.”, ka shkruar më tej ai.

Sot bëhet një vit që kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar demarkacionin me Malin e Zi. Pasditen e 21 marsit 2018, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka miratuar demarkimin pas katër herë ndërprerjesh për shkak të gjuajtjes me gaz lotsjellës nga Vetëvendosje./21Media