LDK kundër takimieve "sa për t’u takuar"

LDK kundër takimieve “sa për t’u takuar”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në një intervistë për RTV21 tha se ende nuk e dinë nëse do të ketë takime me Lëvizjen Vetëvendosje për të arritur marrëveshje për koalicion qeverisës.

“A do të ketë takim apo jo varet se sa do të jetë gatishmëria për të bërë marrëveshje, unë nuk jam që të ketë takime sa për t’u takuar, por atë që të ketë takim që ta lidhim marrëveshjen. Për gjëra tjera jemi shprehur qartë në organet tona. Ne kemi pas opsion këtë koalicion dhe mbesim pranë këtij koalicioni, nëse bëhet mirë, nëse jo Vetëvendosje duhet te gjejë zgjidhje tjetër”, ka thënë Mustafa.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kanë zhvilluar disa takime, ku kanë diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje për koalicion qeverisës.  Por, marrëveshja s’është arritur ende.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës./21Media