Sipas Mustafës me LDK-në Kosova do t’i ketë dyert e hapura në Bruksel dhe Washington

Sipas Mustafës me LDK-në Kosova do t’i ketë dyert e hapura në Bruksel dhe Washington

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka akuzuar koalicionin PAN, të drejtuar nga PDK-ja me Qeverinë Haradinaj, se ka rrënuar çdo urëlidhje me BE-në dhe SHBA-në.

Ai ka shkruar në Facebook se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, dje në Shtërpcë dhe Ferizaj konfirmoi dy gjëra me rëndësi – e para, se po fiton LDK-ja dhe e dyta se e ka marrë vesh që s’ka koalicion me PDK-në.

“Deklarata se koalicioni ndërmjet Mustafës dhe Kurtit do të jetë koalicion i korrupsionit dhe i izolimit është huqje e llojit të vet. Por, asgjë më e mirë nuk pritet prej tij. Po e vërteton që s’po arrin të jetë politikan, por mbetet një i dështuar në zejen e vjetër të tij”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka folur edhe rreth koalicionit ndërmjet LDK-së dhe VV-së, arritjen e mundshme të të cilit, e ka quajtur “shumë real”.

“Ky koalicion i drejtuar nga LDK mund ta luftojë krimin dhe korrupsionin dhe të hapë rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës. Këtë e dëshmon fakti se në qeverisjen e LDK-së nuk ka pasur asnjë aferë korruptive dhe asnjë ministër me aktakuzë dhe se në atë periudhë është nënshkruar Marrëveshja e parë kontraktuale me BE-në, Marrëveshja për Stabilizim-Asociim. Me fitoren e LDK-së më 6 tetor, Kosova do të ketë qeveri evropiane me një kryeministre evropiane, e cila do t’i ketë dyert e hapura në Bruksel dhe Uashington”, ka thënë Mustafa.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 6 tetor, ndërsa fushata zgjedhore, ka filluar më 25 shtator dhe do të zgjasë 10 ditë./21Media