Mustafa: Vrasja mizore u krye nga ata që nuk e deshën Kosovën e lirë

Mustafa ka thënë se vrasja e tyre ishte një goditje e rëndë për lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka përkujtuar sot vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën në 37-vjetorin e vrasjes. Mustafa ka thënë se vrasja e tyre ishte një goditje e rëndë për lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës.

“Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i përkujton Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën, sot në 37 vjetorin e vrasjes. Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, u vranë mizorisht në vitin 1982 nga regjimi ish-jugosllav. Vrasja e tyre ishte një goditje e rëndë për lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës, por gjithashtu ata u shndërruan në prijës të kauzës për lirinë e Kosovës, duke trasuar rrugën e qartë drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë.”, është shprehur Mustafa.

Kreu i LDK-së ka thënë se Gërvalla ka qenë një intelektual i jashtëzakonshëm dhe që kontributi i tij pati ndikim vendimtar në dinamizimin e tërësishëm të lëvizjes kombëtare për lirinë e Kosovës.

“Jusuf Gërvalla ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, që me vizionin e tij politik dhe vendosmërinë atdhetare, së bashku me Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën u bënë prijës të lëvizjes kombëtare nën regjimin komunist dhe me përkushtimin e tyre të pashoq arritën të ngritin nivelin e organizimit dhe unifikimit të veprimtarëve shqiptarë në kuadër të lëvizjes kombëtare për lirinë e Kosovës. Aktiviteti dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Jusuf Gërvallës dhe bashkëveprimtarëve të tij, pati ndikim vendimtar në dinamizimin e tërësishëm të lëvizjes kombëtare shqiptare kundër regjimit ish-jugosllav. Vrasja mizore e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës u krye nga ata që nuk e deshën Kosovën e lirë e demokratike.”, është shprehur ai.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë, në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre. Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova./21Media

Back to top button