Veseli në vendin ku do të ndërtohet Muzeu i Gjenocidit

Veseli në vendin ku do të ndërtohet Muzeu i Gjenocidit

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka vizituar lokacionin në të cilin është paraparë të ndërtohet Muzeu i Gjenocidit në Kosovë. Veseli ka propozuar që ky Muze të ndërtohet në vendin që njihet si ish-tjegullorja në kryeqytet, në një hapësirë prej 9 m.75 hektarësh e cila aktualisht menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Sipas tij, ky Muze i Gjenocidit do të ketë rol përkujtimor dhe edukativ për brezat e ardhshëm dhe ka theksuar që gurthemeli të vendoset në vitin 2020.

“Serbia ka kryer gjenocid mbi popullin tonë. Serbia dhe kryesit e krimeve do të përgjigjen për këtë gjenocid të kryer në Kosovë. I falënderoj të gjitha organizata që merret me ndriçimin e të vërtetesë të gjithë mekanizmat edhe vendorë edhe ndërkombëtar që kanë shprehur interesin për iniciativën tonë, edhe kongresin Amerikan që na ka mundësuar që të rrëfehen këto krime”, ka deklaruar Veseli.

Sipas tij, kjo është një iniciativë që populli i Kosovë e merr për hir të së drejtës dhe të vërtetës, nuk ka pajtim pa pasur dënim të gjenocidit. Veseli ka falënderuar AKP-në dhe ministrin Gashi.

“Ditën e enjte do të kemi seancë do të jetë një nga iniciativat më së shumti e votuar nga të gjithë deputetët, do të themelohet komisioni shtetëror që fillon punë e dokumentimit të së vërtetës dhe më pas inicimin e Tribunalit. Po ashtu edhe ditën e enjte do të fillojmë me Muzeun e Gjenocidit, do ta propozojmë këtë vend. E falënderoj edhe AKP-në dhe ministrin e Kulturës që po bënë një punë të shkëlqyeshme, pasi kjo do të jetë punë e dikasterit të tij”, ka thënë ai.

Veseli ka përmendur edhe pesë arsyet pse po bëhet ky Muze, dhe sipas tij, ky muze do të ketë rol edukativ për brezat.

“Po i them pesë arsye ose po bëhet ky Muze; përkujtimi i krimeve të bëra; do të jetë qendër dokumentimi; do të shërbejë si mundësi për vizitë; do të ketë rol edukativ për brezat dhe do të ketë rol për përgatitjen e aktakuzave për krimet e luftës. Në vitin 2020 do ta kemi gurthemelin, me buxhet mund ta fusim edhe përpara. Të enjten do të vendoset edhe dita e gjenocidit serb dhe memoriali i dëbimit që do të jetë para stacionit të trenit në përkujtim të të dëbuarve nga Kosova”, ka thënë ai.

Ditë më parë, Veseli ka paralajmëruar inicimin e formimit të një komisioni shtetëror i cili tashmë pritet të formalizohet të enjten në seancë parlamentare dhe pas punës së tij do të rezultojë edhe inicimi i hapave tjerë drejt formimit të Tribunalit Ndërkombëtarë.