Pikë kryesore duhet të jetë stimulimi i bashkëpunimit me komunitetin

Pikë kryesore duhet të jetë stimulimi i bashkëpunimit me komunitetin

Muzeu i Kosovës në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane ka organizuar aktivitete të ndryshme për fëmijë me moton “Art dhe Argëtim”.

Sipas drejtoreshës së Muzeut, Alisa Gojani-Berisha qëllimi i aktiviteteve të tilla është hapja e institucioneve dhe komunikimi me publikun, ndërsa si pikë kryesore duhet të jetë stimulimi i bashkëpunimit me komunitetin.

Ndër tjera, ajo theksoi se duhet të ekzistojë një bashkëpunim me shkollat në mënyrë që të krijohet hapësirë për të rinjtë dhe fëmijët që të komunikojnë me artefaktet që  gjenden në këtë muze, duke ngritur kështu vetëdijen për trashëgiminë kulturore të vendit.

Sipas saj, aktivitetet të tilla janë të domosdoshme, duke theksuar se trashëgimia është e të gjithëve dhe se duhet një përkushtim për ta ruajtur atë

Koordinatorja e këtij projekti, Besnike Raci-Gjinolli ka thënë se Ditët e Trashëgimisë Evropiane kanë filluar të shënohen që nga viti 1991, kurse Muzeu i Kosovës organizon aktivitete në 10 vitet e fundit  për nder të këtyre ditëve.

Duke folur për rëndësinë që kanë aktivitete e tilla, ajo ka treguar  edhe për aktivitete të cilat do t’i zhvillojnë më fëmijët.

Kujtojmë se në të gjithë Evropën, prej muajit shtator, Ditët e Trashëgimisë Evropiane hapin dyert e monumenteve dhe vendeve të shumta, duke u lejuar qytetarëve të Evropës ta gëzojnë dhe të mësojnë për trashëgiminë e tyre të përbashkët kulturore dhe t’i inkurajojnë ata të përfshihen në mënyrë aktive në ruajtjen dhe përmirësimin e kësaj trashëgimie për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.