Nagavci flet pas mandatimit të Kurtit për kryeministër

Kurti brenda 15 ditësh duhet të paraqes përbërjen e Qeverisë para Kuvendit

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci reagoi pas mandatimit të Albin Kurtit për kryeministër të vendit. Nagavci u shpreh se nuk mund të presin deri në pafundësi.

“Albin Kurti, personi më i votuar në zgjedhjet parlamentare, është i mandatuari për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sot dërguam dhe formalisht propozimin e LV! si fituese e zgjedhjeve. Tani më nuk ka dhe shumë kohë, 15 ditë nga nesër Albin Kurti duhet të paraqes përbërjen e Qeverisë para Kuvendit. Nuk mund të presim në pafundësi, nuk mund të rrezikojmë miratimin e buxhetit e krijimin e situatave të vështira financiare në qindra mijëra familje e as të bllokojmë krijimin e institucioneve.”, u shpreh Nagavci.

Më tej u shpreh se nuk duhet të kthehen në të kaluarën, por duhet të fillojë puna.

“Nuk mund të kthehemi në të kaluarën, në rrugën përpara duhet ulur në tavolinën e bisedimeve deri në arritjen e marrëveshjes, votimin e Qeverisë Kurti dhe fillimin e punës. Bashkë me LDK-në duhet të përmbushim shpresat për ndryshim. Kjo është mundësia e fundit për të jetësuar vullnetin e qytetarëve, për t’u shkëputur përfundimisht nga qeverisjet e papërgjegjshme që shkaktuan largimin e qindra mijëra qytetarëve rrugëve të botës. Skenaret që pengojnë realizimin e vullnetit të qytetarëve nuk mund dhe nuk duhet të ngadhnjejnë mbi zërat racional që duhet t’I dëgjojmë këto ditë. Është koha që premtimet t’i bëjmë realitet, që besimin që na e kanë dhënë, ta kthejmë në votimin e Qeverisë së ndryshimit. Qytetarët kanë folur me 6 tetor, të zgjedhurit e tyre do të flasin pas dy jave, me shpresën që do të përmbushin besimin e dhënë.”, u shpreh ajo.

Vetëvendosje sot ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurti, për mandatar të qeverisë, ai tani brenda 15 ditësh duhet të paraqes përbërjen e Qeverisë para Kuvendit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgoi zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës. Sipas presidentit, ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin të institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë./21Media

Back to top button