Nagavci: Me Projektligjin për tekste shkollore synojmë përmirësimin e cilësisë

Ministria e Arsimit së bashku me Institutin EdGuard sot kanë organizuar diskutimin publik për Projektligjin për tekste shkollore, i cili projektligj u konsiderua që do të përmirësojë cilësinë e teksteve mësimore.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se ky projektligj mundëson bazë të mirë ligjore për tekste shkollore cilësore.
Ajo theksoi se synimi është të kenë autorë dhe recezentë sa më kompetentë që të bëjnë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Synimi ynë është që në radhë të parë që të përmirësojmë cilësinë e teksteve mësimore sepse të gjithë jemi të vetëdijshëm që sado që sipas kurrikulës sonë burimet e mësimdhënies janë të shumta dhe të llojllojshme, tekste mësimore vazhdojnë të jenë burimi kryesor për mësimdhënës tanë e po edhe mjeti i parë duke pas parasysh shpeshherë i vetmi edhe i prindërve dhe fëmijëve që duan të punojnë në shtëpi e tyre. Andaj është kaq e rëndësishme që tekstet shkollore të jenë më cilësore. Po ashtu, synimi ynë është që të përcaktojmë edhe procedurat të sakta për hartimin, vlerësimin dhe botimin e teksteve shkollore, të rrisim transparencën dhe llogaridhënien në proces të vlerësimit dhe botimit të teksteve mësimore, të rrisim kapacitetet e autorëve dhe recezentëve për hartim dhe vlerësim të teksteve shkollore,”, theksoi ajo.
Nagavci derisa shpalosi disa nga risitë që përfshinë ky draft theksoi se çmimet e librave do të jenë të arsyeshme.
Ndërsa, nënvizoi se risi që sjellë projektligj për tekstet shkollore është aplikimi me dorëshkrime i cili do të bëhet drejtpërdrejtë nga autorët.
Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard teksa ka prezantuar detaje nga projektligji tha se drafti ka gjithsej 41 nene dhe që lë mundësi për plotësim me legjislacion sekondar.
Qehaja theksoi se ky projektligj i hap rrugë përdorimit të teksteve shkollore digjitale dhe po ashtu të krijohen edhe materiale edukative për klasën përgatitore./21Media

Back to top button