U bën thirrje të kenë besim të Kurti

U bën thirrje të kenë besim të Kurti

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, njëherit pjesë e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se dëshira për zgjidhje të shpejta e arritje të marrëveshjes nuk mund të jetë arsyeja për të humbur durimin.

Në një postim në “Facebook”, ajo tha se shpeshherë ndalimi për të sqaruar gjithçka mund të pengojë për të arritur qëllimin final. Prandaj ajo tha se duhet durim e angazhim për të arritur te caku.

“Në Kryesinë e LV! i kemi deleguar detyrën e zhvillimit të bisedimeve grupit punues deri në gjetjen e zgjidhjes më të mirë për vendit, sipas vullnetit të shprehur nga qytetarët. Andaj dhe me besimin e plotë tek Kryetari Kurti dhe kolegët tanë ftoj për durim. Në momentet e rëndësishme, përkundër tensionit e presionit, e madje pikërisht për këtë, vendimet duhet të jenë të matura mirë, të kujdesshme e të drejta. Dëshira për zgjidhje të shpejta e arritje të marrëveshjes, sado e kuptueshme, nuk mund të jetë arsyeja për të humbur durimin”, ka shkruar Nagavci.

Ajo theksoi se rruga përpara është e gjatë, “ka momente zhgënjimi e frike, por vendimet e drejta na sigurojnë që shpresa për zhvillim, angazhimi për drejtësi e kohët e bukura, të jenë më të afërta e të zgjasin më shumë”, ka përfunduar ajo.

Dje ka përfunduar pa marrëveshje takimi i radhës ndërmjet kreut të VV-së, Albin Kurtit dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa. Zyrtarët e të dyja partive nuk kanë treguar nëse do të ketë takime të tjera./21Media