Nataliteti në Shqipëri ka rënë në nivelin më të ulët në 100 vjetët e fundit

Nataliteti në Shqipëri ka rënë në nivelin më të ulët në 100 vjetët e fundit

Numri i lindjeve të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2016 ka qenë më i ulëti i regjistruar ndonjëherë.

Gjatë vitit 2016, më pak se 32 mijë foshnja lindën në Shqipëri dhe ky është niveli më i ulët i lindjeve të shënuar që nga vitet 1930, duke paralajmëruar për një krizë të rëndë demografike në të ardhmen e afërt.

Përgjatë vitit 2016, numri i lindjeve qenë 31 mijë e 733 lindje, afro një mijë lindje më pak nga viti 2015 dhe 4 mijë lindje më pak se sa në vitin 2014.

Rënia e numrit të lindjeve në vitet 2015 dhe 2016, që ka gjasa është shkaktuar nga vala e re e emigrimit të popullsisë shqiptare drejt Europës, pritet të ketë pasoja të shumëfishta të rënda për demografinë, ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në dekadat e ardhshme.

Aktualisht popullsia shqiptare është në pakësim dhe në plakje të shpejtë.

Pakësimi i popullsisë banuese në Shqipëri përgjatë dy dekadave të fundit ka ardhur si pasojë e emigrimit. Dhe plakja e popullsisë ka ardhur njëkohësisht si pasojë e emigrimit (të emigruarit kanë moshë shumë më të re se sa ata që mbetën) dhe si pasojë e rënies së lindshmërisë.

Numri i fëmijëve nën 14 vjeç, aktualisht 522 mijë, pritet të bjerë më tutje gjatë viteve të ardhshme ndërkohë që numri i shqiptarëve mbi 65 vjeç, aktualisht 378 mijë, pritet të rritet me shpejtësi.