Maja e Shkodranit dhe qyteti i vjetër i Rahovecit  pikësynim i radhës i këtij grupi

Maja e Shkodranit dhe qyteti i vjetër i Rahovecit  pikësynim i radhës i këtij grupi

Ngjitjet e shumta të cilat Hiking Njeri i ka organizuar në pjesë të ndryshme të Kosovës  tash e sa vite nuk janë të panjohura për shumë nga ju. Por që nga muajit shkurt, këto ngjitje përveç që shpalosin bukuri të shumta natyrore janë duke shpalosur edhe trashëgiminë kulturore që ka vendi ynë.

Për të biseduar për këtë nismë, në emisionin Bon Bon në RTV12, ishin të ftuar Arben Islami dhe Arben Haxhijaha nga Hiking Njeri, shkruan rtv21.tv

 Islami ka treguar se ideja për të shtuar edhe vizitën nëpër qendra kulturore ka lindur në ecjen e 580- të që grupi Hiking Njeri kishte bërë.

“Para një muaji ne e kemi përfunduar ecjen e 580-të mandej thamë mbasi i kemi bërë gjithë këto ecje pse nuk e inkuadrojmë edhe trashëgiminë kulturore në këto ecje, pasi edhe njerëzit po e kërkojnë. Mandej mund të inkuadrohen edhe nivele të ndryshme të aftësisë së njerëzve për t’u ngjitur në male”, ka thënë Islami.

Sipas tij, asnjë grup në rajon nuk organizon këso ekskursione, ku marrin pjesë mbi 300 persona.

“Ne tashmë gjithmonë këqyrim metoda të reja qysh me arrit deri te ajo qejfi i bjeshkatarit, kështu që bëjmë zbulime të reja, bëjmë fotografi shumë, mandej përveç bjeshkëve dalim edhe me anëtarët që kanë vizituar bjeshkën me neve bëjmë shoqëri. Ky grup është rritur shumë, kohët e fundit po e kalon 200 apo 300 e numrit të pjesëmarrëse”, ka shtuar Islami.

Ai ka treguar se do të donte që njëherë të rinjtë e vendit, ta dërgonte për ecje në bjeshkë, pasi siç thotë ai ky aktivitet po ndryshon botëkuptimin për natyrën.

Këtë të diel Hiking Njeri do të organizoj ngjitje në  Majën e Zatriqit dhe Majën e Shkodranit ku këtij aktiviteti i është shtuar dhe vizita në qytetin historik të Rahovecit. Haxhijaha ka treguar se është përzgjedhur vizita në këtë qytet, pasi sipas tij Rahoveci ofron monumente trashëgimore të cilat nuk vizitohen shumë nga qytetarët e vendit.

“Është një ndër vendet më sa paku i vizituar, shumë njerëz nuk e kanë parë dhe disa objekte ja vlen të shihen. Koha e mirë që do të jetë 23 gradë celsius, prej majës së Shkodranit është një pamje tepër e bukur,  një pamje 360 shkallë e pjesës ku shihen edhe majet në Shqipëri”, ka thënë Haxhijaha.

Ai ka treguar se gjatë kësaj ecje në majën e Shkodranit, do të vizitohet kështjella e Durmanit, ku janë edhe themelet e kësaj kështjelle të shekullit të III apo IV./21Media