Portieri nga Kosta Rika nuk është zgjedhje e parë te Los Blancos

Portieri nga Kosta Rika nuk është zgjedhje e parë te Los Blancos

Në këtë sezon që po mbyllet, Real Madridi nuk i ka bërë mirë gjërat në fushën e blertë. Klubi “merengues” nuk ka prodhuar futboll cilësor, ndaj ka mbetur edhe duarbosh, pa asnjë trofe, si rrallëherë në vitet e fundit.

Priten shumë largime nga skuadra dhe një ndër ta është edhe Keylor Navas. Portieri në fjalë ka përfunduar në stol, pas ardhjes së Thibaut Courtois, pavarësisht tri sezoneve të shkëlqyera që kishte regjistruar, me tri Liga të Kampionëve radhazi të fituar.

Rikthimi i Zidane si trajner pritej ta ndryshonte situatën e kostarikanit. Në fakt, dukej se Navas do të ishte portieri titullar, por jo, pas mungesës në gjashtë ndeshje të njëpasnjëshme, gjërat duken të qarta. Courtois ka besimin e klubit dhe Zidane, ndaj Navas ka vetëm një zgjidhje, largimin.

Një mundësi e mirë duket Manchester United. Pasi që klubi nuk arriti të kualifikohej në Ligën e Kampionëve shumë yje mund të largohen. Midis tyre, përveç Pogbasë edhe portieri David De Gea.

Të gjithë këta lojtarë do t’i shihnin pagat e tyre të reduktuara, sepse nuk i përmbushin objektivat e klubit. Kështu, Keylor Navas mund të ishte portieri i “Djajve të Kuq” për sezonin e ardhshëm, në vend të spanjollit.