Ndahen 6.5 milionë euro për krijimin e vendeve të punës në bujqësi

Sot u nënshkrua marrëveshja 6.5 milonëshe

Ministri i Financave Bedri Hamza dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt nënshkruan sot marrëveshjen për grantin “Shërbime financiare për krijimin e vendeve të punës në sektorin e bujqësisë – Fondi për Garantimin e Kredive III”.

Me këtë rast, ministri Hamza i shprehu mirënjohjen qeverisë dhe taksapaguesve gjermanë për kontributin e dhënë për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, të cilët deri më tani kanë kontribuar me mbi 500 milionë euro.

Sipas tij, marrëveshja e sotme, e cila kap vlerën 6.5 milionë euro, të cilat janë pa mundësi kthimi, ndikojnë në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes sektorit privat.

“Këto 6.5 milionë euro janë të dedikuara për fondin për garantimin e kredive. Ky fond është themeluar me ndihmën e donatorëve, kontribuuesin më i madh është qeveria gjermane deri më tani, qëllimi është që të fokusohen grupet sidomos njerëzit e rinj, gjinia femërore që kanë plane të qëndrueshme të biznesit, por ndoshta u mungon kolaterali dhe iu mungon historiku në bankë, dhe kanë mundësi që të realizojnë kredi me kushte më të volitshme. Specifikisht, këto mjete janë të dedikuara për përkrahje të ndërmarrjeve nga fusha e agrobiznesit”, tha Hamza.

Ambasadori Christian Held, u shpreh se kjo ndihmesë ndaj Kosovës ka qëllimi afrimin me integrimin euroatlantike. Ai tha se për rritje të qëndrueshme ekonomike sektori financiar është shtylla më e rëndësishme, andaj përmes Fondit për Garantimin e Kredive janë lehtësuar qasjet financiare për agrobizneset.

“Ky fond ka lehtësuar qasjen në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë praktikisht shtylla e zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe unë do thosha që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme po ashtu janë shtyllë e zhvillimit edhe në Gjermani. Ky fond ka krijuar mirëbesim dhe gjithashtu i ka vendosur parakushtet e domosdoshme në mënyrë që institucionet financiare tu japin para ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, tha ambasadori gjerman.

Sipas tij, donatorë të rinj kanë shprehur interesimin që të kontribuojnë në Fondin për Garantimin e Kredive me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës dhe një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë.

Back to top button