Ndahen mirënjohje për minatorët e Trepçës

Sadiku tha se shpresojnë që shumë shpejt do të zgjidhet çështja e beneficioneve

Me rastin e shënimit të 30-vjetorit të grevës së minatorëve të Trepçës, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ndau mirënjohje për minatorët që ishin pjesë e kësaj greve dhe po këtë vit dalin në pension.

Këto mirënjohje u ndanë për kontributin e tyre të dhënë në minierën e Trepçës dhe për sakrificën e tyre gjatë grevës së 28 shkurtit në vitin 1989.

Ministri Lluka falënderoi minatorët për punën dhe sakrificën e tyre dhe i njoftoi se benefitet, të cilat u takojnë atyre shumë shpejtë do të zbatohen.

“Kjo është një ceremoni falënderuese për punën e juaj, për jetën të cilën e keni kaluar në minierën e Trepçës dhe posaçërisht për sakrificën në grevën e minatorëve. Ju uroj për miratimin e statutit të Trepçës e cila juve ju bënë hisedarë në këtë minierë. Ne jemi duke punuar që benefitet të cilat ju takojnë të hyjnë në zbatim sa me shpejtë dhe shpresojmë që brenda 3 muajve të përfundon procedura”, tha ministri Lluka.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku tha se shpresojnë që shumë shpejt do të zgjidhet çështja e beneficioneve, të cilat do t’iu garantonin minatorëve një pensionim më të mirë.

Ndërkaq, minatori më i vjetër i minierës Trepça, Ferit Neziri tha se ministri Lluka është ministri i parë, i cili i mblodhi minatorët në një ceremoni të tillë.

“Unë si minatori më i vjetër i Trepçës dua ta falënderoj përzemërsisht ministrin Lluka, i cili është i vetmi prej ministrave që i ka mbledhë minatorët e Trepçës në një ceremoni të tillë”, u shpreh ai.

Ndryshe, minatorët ndanë një dhuratë për ministrin Lluka si shenjë falënderimi për angazhimin dhe punën që ka bërë.

Back to top button