Ndahen në paqe!

Ndeshja e parë e javës 28 e kampionatit gjerman ndërmjet Eintracht Frankfurt dhe Werder Bremen ka përfunduar sonte me barazim 2:2

Vendësit ishin pranë golit në minutën 10, kur fuqishëm goditi Abraham, por topi qëlloi shtyllën e portës së Werderit. Vendësit rrezikuan edhe në minutën 27 kur goditjen e Rebiq e priti portieri Wiederwald, ndërsa më pas goditja e Hrgot u bllokua.

Werder pas kësaj kaloi në ofensivë dhe Junuzoviq në minutën 37 shënoi për të sjellë mysafirët në epërsi, pas të cilit gol në minutën 43 Bartels ngriti epërsinë në 2:0, që ishte edhe rezultati i pjesës së parë.

Në vazhdim të ndeshjes, më saktë në minutën 48 Gaçinoviq tundi rrjetën e  Werderit pas asistimit të Abraham, duke zvogëluar disavantazhin në 1:2.

Luhej minuta 73 kur u referua penallti për Eintracht, ndërsa nga pika e bardhë i pagabueshëm ishte Fabian duke barazuar shifrat në 2:2. Dhjetë minuta më vonë vendësit kanë mundur të shënojnë nga kundërsulmi sikur Seferoviq të tregohej më preciz.

Rastin e fundit në takim e patën mysafirët, por goditja e Kruse u bllokua nga lojtarët kundërshtarë.

Në tabelë Eintracht është i shtati me 38 pikë, ndërsa Werder i dhjeti me 36 pikë./21Media

Back to top button