Shkaktarët e aksidentit tragjik në Llaskarcë, në të cilën humben jetën 15 persona

Shkaktarët e aksidentit tragjik në Llaskarcë, në të cilën humben jetën 15 persona

Shpejtësia e palejuar, frenat teknikisht të parregullta të autobusit dhe manipulimi me tahografin janë shkaktarët e aksidentit tragjik në Llaskarcë, në të cilën humben jetën 15 persona. Kështu thonë nga Prokuroria Themelore Publike në Maqedoni pas ekspertizave të bëra deri më sot. Ndonëse shpejtësia për këtë autobus është e lejuar deri 80 km/h, prokurori publik Sasho Rajçev ka thënë se autobusi ka lëvizur me shpejtësi prej 99 km/h.  Ndërkohë sipas tij në autobus ka qenë i aktivizuar një aparat për të treguar shpejtësi të rrejshme.

“Lëshimet e vozitësit janë që ka vozitur autobusin me shpejtësi jo të lejuar me 99km/h. Duke marrë parasysh që shpejtësia është e ndaluar ka aktivizuar aparatin për manipulim të tahografit që të mos evidentojë shpejtësinë reale të vozitjes… Nga ana tjetër edhe frenat teknikisht të parregullta të autobusit  janë arsyet kryesore të aksidentit”, ka thënë Prokurori Publik, Sasho Rajçev.

Me urdhër të PPTH është arrestuar pronari i kompanisë Durmo Turs, shoferi i autobusit dhe punëtorët të kontrollit teknik dhe një person që ka kontrolluar tahografin dhe ka dhënë vërtetim se i njëjti është në rregull. Të arrestuarit sipas Kodit Penal ngarkohen për vepra të rënda penale kundër sigurisë së qytetarëve në trafik. Për 6 persona PPTH-ja ka kërkuar masën e paraburgimit 30-të ditor, ndërsa ndaj personit të shtatë masa kujdesi.

“Të gjithë këta shtatë persona janë të privuar nga liria dhe gjenden në stacionin policor në Shkup. Gjatë ditës së sotme do të dërgohen para gjykatësit në procedurë paraprake. Për personat për të cilat është hapur procedurë hetimore, Prokuroria do të jap propozim për përcaktimin e masë paraburgim, ndërsa për personin e shtatë do të propozojmë masë kujdesi”, shtoi Rajçev.

Shenjat e frenimit të autobusit sipas PPTH janë vërejtur vetëm  kur vozitësi ka kaluar hekurat mbrojtës, por për shkak se frenat nuk kanë qenë teknikisht në rregull është pamundësuar ndalja e tij. Ndërkohë nga Prokuroria njoftojnë se hetimet për rastin ende vazhdojnë, pasi që edhe sot janë thirrur në pyetje dëshmitar të tjerë të rastit. Sipas ekspertizës shoferi gjatë momentit tragjik nuk ka përdorur telefonin, gjithashtu sipas ekspertizës mjekësore ai vuan nga diabeti, por kjo nuk ka qenë arsye tjetër për shkaktimin e aksidentit. Aksidenti ka ndodhur më 13  shkurt në të cilin humbën jetën 15 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan./TV21