AKU: Mishi i pasigurtë për konsum

AKU: Mishi i pasigurtë për konsum

Rreth 387.1 ton mish i importuar nga Brazili, Kanadaja dhe Qipro është ndaluar të hyjnë në territorin shqiptar. Autoriteti i Kontrollit Ushqimor në Shqipëri informoi sot se nga këto 234.5 ton mish janë kthyer në vendin e origjinës dhe 152.6 ton të tjera janë në proces për kthim.

Ndalimi i tyre është bërë gjatë kontrolleve të ushtruara nga inspektorët e ushqimit të AKU Durrës në Pikën e Inspektimit Kufitar Durrës gjatë ditëve të fundit.

Ngarkesat me produkte importi janë konsideruar të pasigurta për konsum njerëzor dhe si rrjedhojë kanë vendosur për kthimin e tyre në vendin e origjinës.

Tre ngarkesa me sasi totale 74.946 ton mish derri me origjinë nga Kanadaja “Rezultuan se nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore dhe kishin mangësi në besueshmërinë e dokumentacionit shoqërues (kryesisht të certifikatës veterinare si dokumenti kryesor i sigurisë së produktit si dhe certifikatat e analizave raportonin prezencë Ractopaminë, një produkt mjekësor veterinar i paregjistruar dhe i ndaluar për përdorim në Shqipëri dhe në BE), informon AKU.

Dy ngarkesa me sasi totale 52.257 ton mish viçi me origjinë nga Brazili, në rrëgjim transit në territorin e Shqipërisë me destinacion final Kosovën.

Rezultuan me mangësi dhe mospërputhje thelbësore në dokumentacionin shoqërues të mallit (certifikata e origjinës dhe ajo veterinare mbanin të dhëna të ndryshme nga dokumenti i transportit dhe fatura komerciale) çka e bën mallin ushqimor të importuar pa identitet të konfirmuar dhe të pasigurt për konsum“, informon AKU

Janë kthyer në vendet e origjinës katër ngarkesa me sasi totale 107.240 ton mish derri me origjinë nga Brazili.

Gjashtë ngarkesa, gjithsej, 152.631 ton në total, janë në proces për mbylljen e praktikës dhe për kthimin ne vendin e origjinës ose asgjësim. Ngarkesat me mish derri, fileto pule dhe mish viçi kishin origjinë Brazilin dhe  Qipron./oranews