Ndalohet ndarja e qymyrit për punëtorët e KEK-ut

Ky është vendim i MZHE-së

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka ndaluar dhënien e qymyrit si dhuratë për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, të nënshkruar dje nga ministri Valdrin Lluka, thuhet se vendimi është marrë në kuadër të masave për mbrojtjen nga ndotja e ajrit.

Viteve të kaluara, KEK ka pasur traditë dhurimin e mesatarisht 10 tonëve qymyr për 4 mijë e 500 punëtorë.

Ndërkaq, në Prishtinë në vitet e fundit janë shënuar ndër vlerat më të larta të ndotjes së ajrit në botë.

Në shtator, minsitri Lluka kishte deklaruar për KALLXO.com se do të ndalonte dhëninen e qymyrit si dhuratë për puntorët.

Në një prononcim për KALLXO.com, Lluka tha se nëse një kërkesë e tillë vie nga bordi i KEK, ajo do të refuzohet nga MZHE.

“Qëndrimi im si Ministër i Zhvillimit Ekonomik është që të ndalohet dhënia si dhuratë e thëngjillit tek punëtorët e KEK-ut. Nëse vjen një kërkesë e tillë nga unë personalisht do të refuzohet. Për arsye se ne kemi thënë edhe më herët se duhet ta përmirësojmë ambientin në Prishtinë sidomos. Djegja e qymyrit pa filtër shkakton probleme të mëdha”, kishte thënë  Lluka

Ai theksoi se punëtorët e KEK tani kanë më pak arsye për kërkim të qymyrit si dhuratë pasi kanë marrë rritje rroge.

“Reagimet janë të pritshme por duke konsideruar se punëtorëve të KEK-ut i janë rritur rrogat për 100 euro të gjithëve, atëherë kjo pak a shumë e lehtëson atë barrën. Mund të bashkëpunojmë me KEK-un që të gjejmë forma të tjera të zëvendësimit përshembull ndoshta qoftë edhe me subvencione me dru apo diçka të tillë por thëngjilli nga ana jonë nuk do të jetë asesi i pranueshëm”, tha Lluka.

Korporata Energjetike e Kosovës ende nuk ka marrë kërkesë nga punëtorët e saj për shpërndarje të qymyrit që ka qenë praktikë në vitet e kaluara. Ndarja e një sasie qymyrit për të gjithë punëtorët e korporatës në të kaluarën është bërë pas kërkesave të sindikatës së punëtorëve. Megjithatë, sipas KEK, një kërkesë e tillë për këtë vit do të shqyrtohej më në hollësi për shkak alarmit të ngritur për ndotjen e ajrit nga djegja e qymyrit për ngrohje.

Ministrat dhe zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës në mars ishin  mbledhur së bashku si një “task forcë” për të diskutuar në parandalimin e ndotjes së ajrit në Kosovë, gjendje kjo e cila ishte përkeqësuar gjatë stinës së dimrit sidomos në qytetin e Prishtinës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës.

Back to top button