Ndalohet prodhimi i kriptovalutave në Kosovë

Qeveria ka marrë vendim për ndalimin e prodhimit të kriptovaluatave në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se vendimi bazohet në rekomandimet e Komitetit Teknik që u themelua për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.
“Në fund të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës kemi themeluar Komitetin Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”. Ky Komitet Teknik ka mbajtur dy takime për të identifikuar dhe rekomanduar zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara nga kriza energjetike botërore. Duke u bazuar në rekomandimet e këtij Komiteti Teknik, javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave. Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Rizvanolli në “facebook”.
Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir). Mund të keni dëgjuar tashmë për versionet më të popullarizuara, Bitcoin dhe Ethereum, por ekzistojnë mbi 5.000 kriptovaluta të ndryshme në qarkullim, sipas uebsajtit për monitorimin e tregut të kriptovalutave, CoinLore.
Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to, ashtu sikurse në pasuri të tjera, siç janë aksionet apo metalet e çmueshme. Përderisa kriptovaluta është një lloj i ri dhe interesant i pasurisë, blerja e saj mund të jetë e rrezikshme, pasi duhet të bëni hulumtime të konsiderueshme për ta kuptuar mënyrën se si funksionon secili sistem./21Media

Back to top button