Ndalohet shitja e mjeteve piroteknike për personat e mitur

Shala ka thënë se kjo po bëhet me qëllim të parandalimit të fatkeqësive

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka lëshuar një urdhëresë për ndalimin e shitjes së mjeteve piroteknike për personat nën moshën 18-vjeç. Shala ka thënë se me këtë urdhëresë obligon inspektoratin e tregut që t’i kontrollojnë operatorët ekonomik, me këtë rast t’i verifikojnë nëse janë të licencuar dhe plotësojnë kriteret për tregti dhe furnizim me produkte piroteknike.

“Sot kam urdhëruar Trupën Koordinuese për mbikëqyrjen e tregut që kryesohet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të koordinoj aktivitetet me organet përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut për kontrollimin e operatorëve ekonomik të cilët merren me tregtinë dhe shitjen e mjeteve piroteknike, me këtë urdhëresë kam obliguar Inspektoratin e Tregut dhe inspektorët kompetent për siguri publike që t’i kontrollojnë operatorët ekonomik, me këtë rast t’i verifikojnë nëse janë të licencuar dhe plotësojnë kriteret për tregti dhe furnizim me produkte piroteknike”, ka thënë ministri Shala.

Shala ka theksuar se ka urdhëruar që të ndalohet shitja apo tregtimi i këtyre produkteve piroteknike për të gjithë personat jo kompetent dhe personat nën moshën 18 vjeçare.

“Ne po punojmë çdo ditë që të mbrojmë konsumatorin tonë, t’iu rrimë afër dhe ta kontrollojmë cilësinë produkteve në treg dhe tregun në përgjithësi duke mos lejuar dhe parandaluar çdo lloj fatkeqësie që mund t’i ndodhë qytetarit tonë. Ne jemi në vëzhgim të tregut edhe kur vije puna te produktet piroteknike që kanë shkaktuar jo pak dëme nëpër vite. Andaj ju bëj thirrje operatorëve ekonomik që të respektojnë këtë urdhëresë, pasi një mos respekt ndaj kësaj urdhërese nënkupton gjoba. Ne nuk jemi të interesuar të gjobisim, por të bashkëpunojmë në kontrollin e tregut dhe sidomos në kontrollin e cilësisë”, ka thënë ministri Shala.

Edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi sot ka nënshkruar urdhëresë për ndalimin e përdorimit të produkteve piroteknike. Në urdhëresë përcaktohet se në rast të kundërvajtjes me dispozitat e urdhëresës, do të ndëshkohet me 100 euro./21Media

Back to top button