Nderohen 41 dëshmorët e rënë në kufirin shqiptaro-shqiptar

21 vite më parë luftëtarët e UÇK-së deri sa sillnin armë në Kosovë, kishin rënë në pritën e ushtrisë serbe

21 vite më parë kanë rënë në altarin e lirisë 41 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, derisa hynin në Kosovë për të sjell armatim.

E për të nderuar veprimtarin e Komandantit të Brigadës 113 të UÇK-së, Mujë Krasniqi, të Profesorit Rifat Myziu, të atletit Ilir Asllani, të uraganit të Pashtrikut Qenë Qenaj dhe të gjithë dëshmorëve që derdhen gjakun e tyre në malet pranë kufirit shqiptaro-shqiptar, kishin ardhur bashkëluftëtarë dhe familjarë.

Njëri nga ish-luftëtarët, Nexhmedin Berisha kujtoi rrugëtimin e vështirë që kanë pasur 21 vite më parë, rrugëtim i cili siç tha ai mori jetën e 41 bashkëluftëtarëve që kanë qenë të rryer në beteja të luftës çlirimtare.

“I kemi ra këtij shtegu, kemi has në pritat armike, në pritë që Serbia domosdo ka dashur ta bllokojë kufirin për të ndal furnizimin e njësiteve brenda në terren. Dhe për këtë arsye në ato kohëra dimri, janë përzgjedhur djemtë më të mirë, djemtë më të fuqishëm, që ia kanë mësy këtyre shtigjeve…E them tash në këtë kohë, që kam qenë pjesëmarrës i plagosur me shumë shokë tjerë të plagosur që kanë qenë, nuk i besojmë realitetit dhe vetvetes se ka mundur me u bë kalimi i këtyre shtigjeve, në atë kohë bora ka qenë afër një metër, të ftohtit acar deri në -20 temperaturat, të ushqyer jo mirë, sepse rruga e gjatë, më shumë na ka interesuar me marrë municione armë, sesa bukë e ujë, gjithçka ka qenë e zorshme”, tha Berisha.

Ai iu drejtua babait të dëshmorit të Mujë Krasniqit, Halil Krasniqit, duke i treguar se i tërë brezi kufitar ka qenë i mbushur me forca armike dhe për këtë ata kanë qenë të vetëdijshëm, por që ishin të vendosur për të hyrë në Kosovë për të sjellë armatim.

 

“Prej djalit tënd dhe të gjithë këtyre që janë këtu, e kemi ditë që prej Drinit të Bardhë, deri në pjesë me Gjakovën, kufiri ishte i mbushur me njësitë paramilitare të Serbisë dhe ma elite të ushtrisë jugosllave, i ka pru këtu”, tha ai.

21 vite më parë, gjatë mëngjesit të acartë të 14 dhjetorit të vitit 1998 luftëtarët e UÇK-së deri sa sillnin armë në Kosovë, kishin rënë në pritën e organizuar nga ushtria dhe policia e armikut, në vendin e quajtur “Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut.

Gjatë luftimeve të pabarabarta të zhvilluara në borën e dhjetorit, veç dëshmorëve të rënë, u plagosën edhe dhjetëra luftëtarë, ndërsa disa luftëtarë u zunë rob lufte, por pas një aksioni të zhvilluar nga luftëtarët e UÇK-së 8 ushtarë të ushtrisë serbe ishin kapur nga luftëtarët e UÇK-së dhe me ndërmjetësimin e OSBE-së u bë këmbimi i ushtarëve të të dyja palëve.

Dëshmorët e UÇK-së të rënë në brezin kufitar shqiptaro-shqiptar u varrosën në Polac të Drenicës me nderime larta ushtarake më 21 dhjetor të vitit 1998

Back to top button