Homazhet po mbahen në Kuvendin e Kosovës

Homazhet po mbahen në Kuvendin e Kosovës

Në Kuvendin e Kosovës po bëhen homazhe për heronjtë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani.

Qytetarë, miq e bashkëluftëtarë të heronjve po bëjnë nderime para trupave të cilët sot nga ora 13:00 do të rivarrosen në varrezat e deshmorëve në Velani të Prishtinës.

Homazhe kanë bërë edhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, ish presidenti Fatmir Sejdiu, kreu i kuvendit në detyrë, Kadri Veseli, ministri i Mbrojtjes në detyrë, Rrustem Berisha, komandanti i FSK, Rrahman Rama dhe pjesëtarë të tjerë të Forcës. Homazhe do të bëjë edhe presidenti Hashim Thaçi e kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Për të nderuar heronjtë sot nga ora 12:00 në Prishtinë do të mbahet edhe akademi përkujtimore. Këto aktivitete sot bëhen nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Kujtojmë se kohë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për rivarrimin e dëshmorëve të kombit dhe propozim-vendimi për rivarrimin e heronjve Afrim Zhitia, Fahri dhe Bahri Fazliu, si dhe Agron Rrahmani, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Velani.