Nderohen ish-kryetarët e FFK-së

13 Shtator 2019

28 vjetori i ndeshjes së parë të pavarësimit të futbollit të Kosovës

28 vjetori i ndeshjes së parë të pavarësimit të futbollit të Kosovës

Me rastin e 28-vjetorit të ndeshjes së parë që shënoi pavarësimin e futbollit të Kosovës nga ai ish-jugosllavia, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka organizuar pritje për ish-kryetarët, Agim Bytyçi e Sabri Hashani dhe personalitetet që kontribuuan në futboll ndër vite, si Sejdi Mërkoja e Adem Çollakaj, e ku ishin të pranishëm edhe anëtarët e KE të FFK-së dhe mysafirë tjerë.

Pikërisht në këtë ditë, presidenti Ademi tha se për FFK-në 13 shtatori është datë e veçantë, ngase pikërisht si sot e 28 vjet më parë, që për koincidencë ishte po ashtu ditë e premte, u zhvillua ndeshja Flamurtari – Prishtina, nën organizimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në kuadër të kampionatit të parë të Republikës së Kosovës, që shënoi edhe ndarjen përfundimtare të futbollit të Kosovës nga ai i Jugosllavisë.

Sot i kemi disa prej protagonistëve të asaj kohe dhe jam i lumtur që jemi këtu për të shënuar këtë datë të rëndësishme me kryetarin e parë të FFK-së, Agim Bytyçi, me Adem Çollakajn, si zëvendës i kryetarit të dytë, Rexhep Abdullahu dhe kryetarin e parë pas luftës, Sabri Hashanin. Jam i privilegjuar që kam pas fatin që të punoj me të gjithë këta njerëz deri te kryetari ynë historik – legjenda Fadil Vokrri, në kohën e të cilit edhe u anëtarësuam në UEFA e FIFA. Mbajtja gjallë e këtij zinxhiri të futbollit na ndihmojë për të arritur deri këtu ku jemi sot”,ka theksuar presidenti Ademi.

Presidenti i FFK-së, Ademi ka  falënderuar të gjithë ata që me vetëfinancim i kanë mbajtur klubet në rrethana të vështira. Ai gjithashtu ka falënderuar të gjithë njerëzit që i kanë lëshuar tokat e tyre për t’u improvizuar në fusha të futbollit në ato vite të okupimit.

Ademi ka përmendur futbollistët që kanë luajtur në atë periudhë pa asnjë të mirë materiale, por vetëm me qëllim të krijimit të një segmenti të shtetësisë së Kosovës, e bashkë me ta edhe gjyqtarët e delegatët që kontribuuan në mbarëvajtjen e garave.

Tutje ai ka bërë të ditur se së shpejti do të krijohet një monografi për historinë e futbollit kosovar që nga fillimi për të gjithë ata që kontribuuan.

Kjo datë do të jetë e shënuar dhe ne si FFK do të  kemi shumë shpejt një monografi që do të quhet FFK nëpër kohë, në mënyrë që secili që ka dhënë kontribut do të jetë i shënuar në atë monografi”, ka shtuar Ademi, i cili njëherësh ka bërë të ditur se ndeshja ndërmjet veteranëve të Flamurtarit dhe Prishtinës për ta shënuar këtë ditë është shtyrë për të hënën për shkak të angazhimeve të dyja klubeve në ndeshjet e kësaj fundjave në Superligë.

Ndërkohë, kryetari i parë i FFK-së, Agim Bytyqi, foli për kohën sa e udhëhiqte këtë federatë dhe falënderoi lojtarët që e kanë mbajtur gjallë futbollin.

Pas 28 vjetëve të kaluara kjo është një histori për futbollin e Kosovës. Të flasësh për atë kohë në ditët e sotme është më e lehtë. Kemi pasur vështirësi të ndryshme, por duke ju falënderuar lojtarëve dhe punëtorëve sportivë kem mbajt gjallë futbollin dhe e kemi jetësuar Republikën e Kosovës”, ka thënë Bytyçi.

Adem Çollakaj, zëvendëspresident i tashmë të ndjerit Rexhep Abdullahut, ish-kryetar i FFK-së, foli për figurën e tij.

Rexhep Abdullahu ka qenë një figurë e rëndësishme dhe mbi të gjitha ka qenë njeri nacionalist që e ka dashtë kombin e vet dhe të gjitha përgjegjësitë i ka marrë mbi supet e veta. Personalisht kam qenë pjesë e FFK-së që nga themelimi dhe kam bashkëpunuar me të gjithë kryetarët e deritashëm, derisa rezultatet që po i arrin Kombëtarja e Kosovës është krejt mundi i atij aktivitet që e kemi bërë ndër vite në kushte të vështira”, ka thënë Çollakaj.

Kryetari i FFK-së pasluftës, Sabri Hashani, tha se ndihet i entuziazmuar që puna e tyre e vështirë është kurorëzuar me pranim në UEFA dhe FIFA.

“Jam i entuziazmuar që ajo punë e jona me sakrificën e të gjithëve që e kanë ndje veten si shqiptarë, duke luajtur nëpër ara e fusha, e duke u pastruar nëpër përroska nga lloçi, sot të arrijmë deri këtu. Jam i nderuar që edhe unë jam pjesë e atij suksesi që u kurorëzua me pranimin në UEFA dhe FIFA me presidentin legjendar. I falënderoj të gjithë donatorët sepse nuk ka qenë e lehtë me i mbajt gjallë futbollin, por që tashmë po e finalizojmë gjithçka me sukseset e Kombëtares”, ka thënë Hashani.

Ndërkohë, presidenti Agim Ademi e falënderoi veçanërisht Fadil Vokrrin për të gjitha të arriturat dhe tha se ai ka mundësuar që tash lojtarët tanë të luajnë në gara evropiane.

Siç ka qenë i artë për gjeneratën e Prishtinës, Fadil Vokrri i artë ka qenë edhe në Federatën e Futbollit dhe në kohën e tij FFK është pranuar në UEFA e FIFA. Kjo ka bërë që neve të na mundësohet ta shpalosim dijen tonë dhe talentin e futbollistëve tanë, të cilët sot po korrin suksese të jashtëzakonshme për ne dhe për krejt botën. Ne i jemi mirënjohës të gjithë kryetarëve paraprak të FFK-së, sidomos Fadil Vokrrit, në kohën e të cilit e thyem izolimin dhe më të vërtet sot ndihem i privilegjuar që ndodhem në mesin e këtyre njerëzve që kanë kontribuar shumë për futbollin dhe që kam qenë bashkëpunëtor i tyre”, ka shtuar tutje presidenti Ademi.

Të gjithë  punën dhe sukseset e arritura deri më tani Ademi ka thënë se ia kushton Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe administratës së FFK-së me një ekip të re dhe profesionale, si dhe trajnerëve të ekipeve kombëtare, të cilët sipas tij po e bëjnë një punë të madhe nëpër të gjitha gjeneratat.

Ndërkaq, ish-trajneri i Prishtinës, Ajet Shosholli, njëherësh përzgjedhësi i parë i Kombëtares së Kosovës, ka folur për vendimin e marrë nga KF ‘Prishtina’ për braktisjen e garave në sistemin e ish-Jugosllavisë dhe nisjen e kampionatit të parë të Republikës së Kosovës.

Tërheqja e Prishtinës ka qenë një moment kyç. Pushtetit të atëhershëm i interesonte që Prishtinën ta kishte afër vetës sepse ishte simbol i të gjithë shqiptarëve. Politika e tyre ishte që t’i tregohet opinionit jugosllav dhe ndërkombëtar që e kemi një ekip shqiptar në ligën tonë, pavarësisht se i kishin futur masat e dhunshme në çdo sferë të jetës. Mirëpo, ne kemi qenë këmbëngulës dhe fillimisht unë si trajner kam dhënë dorëheqje të parevokueshme e më pas edhe futbollistët janë shprehur kundër garimit në ligën federative, për t’iu bashkuar më pas themelimit të FFK-së. Të gjitha klubet në atë kohë ishin në pritje të Prishtinës se çfarë do të vepronte dhe mendoj se ajo gjeneratë e Prishtinës veproi në mënyrën e duhur për të nisur garat nën organizimin e FFK-së”, ka thënë Shosholli.

Në fund të këtij takimi, presidenti Agim Ademi ndau nga një plaketë me stadiumin ‘Fadil Vokrri’ për ish-kryetarët Agim Bytyçi, Rexhep Abdullahu e Sabri Hashani. /21Media