Posta emeton pullat postare me imazhet e Esat Vallës

Posta emeton pullat postare me imazhet e Esat Vallës

Në kuadër të tematikës “Arti vizual: Esat Valla – veprat”, Filatelia e Postës së Kosovës emetojë pullat postare me imazhet artistike të piktorit të shquar kosovar, Esat Valla.

Esat Valla ishte lindur në Gjakovë më 22 prill 1944, artin vizual kosovar e kishte begatuar me vepra që japin kuptimin dhe narracionin e veçantë të një surrealisti, që padyshim kanë vlerë të pamohueshme jo vetëm artistike, por edhe historike. Periudhat e krijimtarisë së artistit janë po ato të popullit dhe atdheut të tij. Megjithatë, siç shprehet vet piktori: “Në art është prezente fshehtësia, duhet të kemi respekt për atë fshehtësi, kur njeriu mendon se e ka zbuluar, ajo është zgjuar edhe është thelluar diku pas”.

Tri pulla postare që emetohen në kuadër të këtij emisioni prezantojnë dy periudha të krijimtarisë së Vallës. “Hasjanja pranë dritares” dhe “Hasjanja pas parmakëve”, të realizuara në vitet e mëhershme paraqesin preokupimin e piktorit për të paraqitur të kaluarën e veshjeve autoktone të vajzave të Hasit. “Dritarja, roleta e këputur” paraqet shqetësimet e viteve ‘81-‘91.

Veprat e piktorit Esat Valla janë mjaft të pasura me simbolikë mistike, dyer të vjetruara ndër shekuj, dollapë, dritare, imazhe të zakonta me konkretësinë e tyre tërheqëse. Veprat e tij kanë si pikë referimi eksperiencën e vet artistit, atë profesionale dhe atë jetësore, duke denoncuar pashtershmërinë e imazheve, ndjeshmërinë dhe risinë e tyre, raportin midis së shkuarës dhe të tashmes, referimet simbolike, të cilat në kontekstin e tyre më të plotë përmbajnë shenjën që mbart ky artist.

Filatelia e Postës së Kosovës do të angazhohet që përmes imazheve të pullave postare të afirmojë vlerat tona artistike dhe kombëtare.