Trenat nuk qarkulluan për një orë

Trenat nuk qarkulluan për një orë

Sot nga ora 08:00 e mëngjesit pothuajse për një orë është ndërprerë qarkullimi i trenave për udhëtarë në hekurudhat e Kosovës, Trainkos nga punëtorët e saj në shenjë pakënaqësie për vonesën e pagave për muajin prill.

Haxhi Xhemajli, nënkryetar i sindikatës së punëtorëve të hekurudhave të Kosovës, Trainkos ka thënë se për një orë kanë protestuar në shenjë pakënaqësie për vonesën e pagave të muajit prill në këtë ndërmarrje.

Ai ka paralajmëruar protesta edhe për ditën e martë, nëse pagat nuk i marrin deri të hënën.

Ndërsa, Naim Neziri zëvendëskryeshef i Trainkos protestuesve u ka premtuar se shumë shpejt do të realizohet paga e muajit prill, ngase sipas tij, është arritur një marrëveshje me Ministrinë e Infrastrukturës për pagesën e shpenzimeve të kësaj ndërmarrjeje.

Megjithatë, ai nuk ka treguar asnjë dokument të kësaj marrëveshje apo shumën e premtuar nga Ministria, por shtoi se për këta 250 punëtorë, për pagën e prillit ju duhen 135-140 mijë euro.

Me përfundim të protestës, trenat kanë filluar të qarkullojnë.

Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas. Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës kanë një tren të rregullt, që quhet treni i shpejtë, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë – Shkup – Prishtinë.

ASK: Për tre muaj vetëm 17 mijë pasagjerë