Ndeshja do të luhet me shikues

Ndeshja do të luhet me shikues

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar sot se ndeshja gjysmëfinale e “play-off”-it në kuadër të Ligës së Kombeve për kualifikim në Euro 2020, ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të zhvillohet më 4 qershor

Sipas FFK-së, ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup në praninë e tifozëve.

“Një vendim të tillë federatave respektive ua ka komunikuar UEFA gjatë ditës së sotme. Kjo ndeshje ishte paraparë të zhvillohej më 26 mars, mirëpo si pasojë e përhapjes së koronavirusit Covid-19 në shumicën e vendeve të Evropës, UEFA vendosi t’i pezullojë të gjitha aktivitetet e muajit mars dhe prill dhe njëherësh edhe ta shtyjë Kampionatin Evropian për një vit, në mënyrë që të ruhet shëndeti i të gjithëve dhe njëherësh t’i jepet mundësi federatave që t’i përfundojnë deri në fund të qershorit kampionatet e tyre kombëtare.”, ka njoftuar FFK.

Ndërkohë, ndeshja finale e “play-off”-it, sipas njoftimit do të zhvillohet më 9 qershor, ku do të ballafaqohet fituesi i ndeshjes Maqedoni e Veriut – Kosovë me fituesin e ndeshjes tjetër gjysmëfinale Gjeorgji – Bjellorusi.

Finalja siç dihet është përcaktuar me short dhe do të zhvillohet në Gjeorgji ose Bjellorusi./21Media