Ndihma financiare e SHBA-s në dispozicion për zhvillimin e Kosovës

Ministri i Financave pritet në Departamentin e Shtetit Amerikan

Ministri i Financave i Kosovës, Bedri Hamza gjatë vizitës së tij në ShBA është pritur nga i ngarkuari për çështje të Financave ndërkombëtare dhe zhvillim dhe zyrtar i lartë në Departamentin e ShBA-së, Roland De Marcellus, të cilin Hamza e ka informuar për progresin e Kosovës në fushën e Financave, qëndrueshmërinë makro fiskale, menaxhimin e borxhit publike, me zhvillimet pozitive rreth buxhetit të vitit 2018 si dhe për sfidat me të cilat po përballet Kosova.

Ministri i Financave gjatë takimit e falënderoi Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe Agjencionet e saja, në veçanti  të gjithë taksapaguesit amerikanë për ndihmën e dhënë nga fillimi e deri më sot në zhvillimin e Kosovës dhe Qytetarëve të saj, sidomos  në fushat të cilat po ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ndërsa siç njoftohet në komunikatë,  Roland De Marcellus e falënderoi ministrin  për vizitën dhe u shpreh i lumtur për takimin me Ministrin e Financave të Kosovës si dhe e përgëzoi ministrin për vendosjen e disiplinës financiare dhe për progresin e arritur në të gjitha fushat duke përfshirë edhe financat e Kosovës.

“Vëmendja dhe Ndihma financiare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën gjithmonë ka qenë dhe do të jetë edhe në të ardhmen në dispozicioni për zhvillimin e Kosovës. Edhe sa i përket Ministrisë së Financave për asnjë moment ndihma jonë nuk do të mungojë” u shpreh i ngarkuari për çështje të Financave ndërkombëtare dhe zhvillim, Roland De Marcellus.

Me rastin  vizitës në Departamentin e Shteteve të Bashkuara  të Amerikës, ministri Hamza u nënshkrua edhe në librin e zisë për ish zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barbara Bush, e cila javën e kaluar ndërroi jetë./21Media

Back to top button