Ndotja e ajrit shkakton depresion dhe vetëvrasje

Ndotja e ajrit mund të dëmtojë praktikisht çdo organ dhe pothuajse çdo qelizë të trupit të njeriut

Ndotja e ajrit ndikon në shëndetin mendor, duke shkaktuar depresion dhe vetëvrasje. Këto janë të dhënat e një studimi të fundit botëror të University College London. Shkencëtarët treguan se grimcat më të imëta të ajrit të ndotur arrijnë deri në tru, duke dëmtuar qelizat nervore e duke shkaktuar edhe ndryshime ne prodhimin e hormonit të stresit.

Sipas një studimi të fundit botëror, ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit është i lidhur me rrezik më të madh depresioni dhe vetëvrasjeje.

University College London ka analizuar 25 studime të publikuara deri në fund të vitit 2017, për lidhjet midis ndotjes së ajrit dhe shëndetit mendor.

Grimcat e ndotjes, të analizuara në studim, prodhohen nga djegia e karburanteve fosile në makina, shtëpi dhe industri.

Shkencëtarët zbuluan se dikush që jeton për të paktën gjashtë muaj në një zonë me dy herë kufirin e rekomanduar të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për grimcat e imëta, PM2.5, do të kishte afërsisht një rrezik prej 10 përqind të rritjes së depresionit.

Edhe pse një gjë e tillë është e vështirë të konfirmohet përtej çdo dyshimi, shkencëtarët janë të bindur se ajo është mëse e mundur.

“Ne e kemi treguar se ndotja e ajrit mund t`i shkaktojë dëme të mëdha shëndetit tonë mendor, e kjo e bën edhe më urgjente nevojën për pastrimin e ajrit”, tha drejtuesja e studimit, Isobel Braithwaite.

Ndërsa, vërehet se ndotja e ajrit mund të dëmtojë praktikisht çdo organ dhe pothuajse çdo qelizë të trupit të njeriut.

OBSH-ja e cilëson këtë rrezik si “një emergjence e heshtur e shëndetit publik”. Sipas të dhënave të kësaj organizate, më shumë se 264 milionë njerëz nëpër botë vuajnë nga depresioni.

Ekspertët tregojnë se grimcat më të imëta të ajrit të ndotur arrijnë deri në tru përmes gjakut dhe hundës, duke shkaktuar inflamacion, duke dëmtuar qelizat nervore e duke shkaktuar edhe ndryshime ne prodhimin e hormonit të stresit. Për këtë arsye studimi rekomandon të merren masa në reduktimin e ndotjes së ajrit në botë, për të parandaluar edhe problematikat në shëndetin mendor.

Një nga kryeqytetet me ajrin më të ndotur në Europë është Shkupi.

Back to top button