Ne i dhamë botës aktorin më të madh të teatrit, por atij aktori nuk i dhamë pasaportën shqiptare

Ne i dhamë botës aktorin më të madh të teatrit, por atij aktori nuk i dhamë pasaportën shqiptare

Me rastin e Ditës Botërore të Teatrit shkrimatari Ag Apolloni ka kujtuar aktorin e njohur të teatrit  Aleksandër Moisiun, shkruan rtv21.tv

“Sot, në Ditën Botërore të Teatrit, ne shqiptarët mund të mburremi që i kemi dhënë botës aktorin më të madh të teatrit, Aleksandër Moisiun, i cili mrekulloi publikun nëpër botë dhe u vlerësua jashtëzakonisht lart nga bashkëkohësit e tij më të mëdhenj, si: Luigi Pirandello, Franz Kafka, Stefan Zweig, Max Reinhard, Konstantin Stanislavski, André Antoine etj”, ka shkruar Ag Apolloni.

Ai tregoi se kur Max Brod  pa “Hamletin”, shkroi: “Hamleti është shkruar për Moisiun dhe Moisiu ka lindur për të interpretuar Hamletin”. Regjisori më i madh gjerman, Reinhard, shkroi: “Unë gjeta te Moisiu aktorin e vërtetë që kërkoja”. Franz Kafka e shihte si aktor unik në botë: “Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit”.

Apolloni shtoi se duhet të mos harrojmë se ne i dhamë botës aktorin më të madh të teatrit, por atij aktori nuk i dhamë pasaportën shqiptare që ai e kërkoi gjithë jetën. Vetëm pak orë para se të vdiste, Shqipëria pranoi t’ia jepte pasaportën, por, meqenëse në parajsë hyhet edhe pa pasaportë shqiptare, Moisiu e refuzoi duke thënë: “Vonë, shumë vonë.”./21Media