Pjesë nga roamani i Petro Markos "Retë dhe gurët"

Pjesë nga roamani i Petro Markos “Retë dhe gurët”

“Ne e dimë gjakun tonë se nga buron”rveç disa patriotëve si Nase Beni, që ishte kapedan – unë isha i vogël, por e mbaj mend shumë mirë kur erdhën në bregun e fshatit luftanije greke. Shumë fshatarë u ranë kambanave dhe thirrën: “Zito i Ellas!-Rroftë Greqia!” “Zito i aneksartisia, zito i aftonomia!-Rroftë pavarësia, rroftë autonomia!”. Madje u shpall nga paria njëfarë autonomie dhe burrat shkonin e bënin rojë në Llogara. Pas pak ditësh erdhi ushtria shqiptare dhe populli doli në xhade me raki, me petulla,me flamuj. Therën mishra dhe hodhën valle. Po disa arhondë nuk dolën nga shtëpitë. Në krye të ushtrisë ishin Riza Cerova, Azis Çami e të tjerë…Ishte hera e parë që Himara inkuadrohej në pushtetin shqiptar dhe letrat që vinin nga mërgimtarët, nuk vinin me adresën Drimades-Himara-Epir, po Dhërmi-Himarë-Albania…Shkollat ishin greke. Disa mësues patriotë, si Naqe Konomi,Foto Vitoja, Gaqo Kaporra, Ibrahim Kushta e të tjerë, u mblodhën në shtëpinë e mësuesit tim të parë Pavllo Vretos dhe me këshillat, udhëzimet e ndihmat që u dha Halim Xheloja, shkolla u bë shqipe. Bënim edhe greqisht, po vetëm shkrim e lexim me tekste greke. Halimi u dha mësuesve librat “Bagëti e bujqësi” të Naimit, që ishin leximet e para të shqipes në shkollën time. Pasi ra fjala për shkollat, këtu dua të zgjatem ca. Në shekullin XVII, më 1630, në Dhërmi priftërinjtë bazilianë që i kishte dërguar papa në Himarë, hapën të parën shkollë shqipe-seminar për priftërinj në gjuhën shqipe; kjo sipas raporteve që i dërgonin priftërinjtë bazilianë papës, një pjesë e të cilave janë botuar (doemos ato që u interesonin atyre) të Nilo Borgias, i cili përmbledh një pjesë të veprimtarisë së priftërinjve unitë (bazilianë) që ndenjën në Himarë për rreth tre shekuj…

…Pyetje: -Pasi fole për shkollat shqipe, pa më thuaj pse fshati juaj e humbi gjuhën, pse flet greqisht?

Përgjigje: – Këtë do ta zgjidhin mirë kompetentët: historianët, gjuhëtarët. Unë jam interesuar dhe kam qenë shumë kureshtar.

Shumë shokë më kanë pyetur: Po ju, jeni shqiptarë apo jeni grekë?

Të jesh i çdo kombësie, nuk është turp, por unë, para disa vjetësh, kur isha në fshat, dhe pasi kampistët (punëtorët që shkonin në kampin e Dhërmiut për të pushuar) më pyetën nëse
ishim shqiptarë apo grekë, u përgjigja me siguri: “Ne jemi shqiptarë!” Më pyetën pastaj pse flisnim greqisht. Me sa munda, u thashë arsyet. Të nesërmen provokova një mbledhje të gjerë
në fshat. U mbush oborri i shkollës me burra dhe me gra. Mënjanë ishin nxënësit dhe gjithë të rinjtë, se e kishin marrë vesh që unë do të flisja rreth temës: “Jemi shqiptarë apo jemi grekë?”

Bisedën e nisa pak a shumë kështu:

-Duhet ta dimë mirë se ç’jemi, ç’kombësi kemi, se dëgjohen
poshtë e lart fjalë se këta janë grekë, këtta nuk dinë se ç’janë!

Pra, fillojmë: Ti, shoku Pavllo Beja, nga e ke origjinën?…

-Familja jonë, si gjithë Gjileku, jemi krutanë. Erdhëm këtu pas
vdekjes së Skënderbeut.

-Po ti, Vangjel Liza, si e di origjinën e familjes sate?

-Ne vijmë nga Tërbaçi. Këtu erdhën tre vëllezër nga Tërbaçi.

Dhe nga të tre vëllezërit u shtuan lagjet Lizaj, Çaçëdhimitrët dhe Trekot.

-Po ju, o Kostë, nga vini?

-Ne vijmë nga Velça! Jemi Tavajt, – dhe qeshi. –Ju e keni dëgjuar atë
breg-shkëmb atje lart, që quhet Trapeza ose

Kont-Tava. Rrjedhim nga Kontët, si ju nga Buajt. Aty tek Trapeza paguanin venecianët, prandaj quhet dhe sot e kësaj dite Kont-Tava ose Trapeza…

Kështu me radhë të gjitha familjet thanë se nga rridhnin. Na doli se vetëm një ishte i huaj: Josif Averbahu, me origjinë çifute, nga Austria. Kjo e tij është një histori e çuditshme: Një konsull i Austro-Hungarisë, që ishte në Vlorë, dashuroi një fshatare tonën që mblidhte myshnje në Llogara me shoqet e saj. Ky konsull shkonte në Llogara për gjah. E pa këtë vashëz dhe u çmend pas
saj. Erdhi në Dhërmi dhe e kërkoi për grua. I thashë të ndërronte fenë. U bë ortodoks dhe banor i fshatit…

Pra, ç’jemi ne? Shqiptarë! Po pse u humbëm gjuhën? Unë do të them ato që di: Pse nënat plaka, gjyshet dhe gjyshët dinë më mirë shqipen se greqishten? Pse qajmë dhe këndojmë
shqip? Pse fjalët e urta i themi shqip? Siç duket, që nga viti 1820 e tëhu, greqizimi u bë me qëllim politik nga vetë Greqia, që fitoi lirinë me gjakun e shqiptarëve, qoftë në Mesolongji, qoftë në revolucionin grek. Suli dhe Himara ishin shqiptarë, po dy krahina autonome që nuk njihnin as Greqinë e as Shqipërinë, , së cilës i kishte humbur edhe emri. Suli dhe Himara ishin kurdoherë në
luftë me turkun. Erdhi koha që Himara ishin kurdoherë në luftë me turkun. Erdhi koha që Himara u nda: Himara bregdetare mbeti e lirë dhe e krishterë, kurse Himara e brendshme, Labëria,
Kurveleshi, Lumi i Vlorës e Dukati u myslimanizuan dhe u ndanë.

Megjithëse u ndanë në dy fe, nuk e humbën kurrë lidhjen e gjakut dhe të fisit. Çdo fshatar kishte të tijtë në një fshat të myslimanizuar që në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Kur bëheshin operacione ndëshkimore nga turqit, bregasit nuk shkonin më përtej maleve, në Mesaplik e në Kurvelesh, për t’u mbrojtur, siç  bënin gjer në atë kohë, por iknin me varka për në Korfuz ose
për në Gjirit, nën mbrojtjen e venecianëve. Aty shkonin pleq e plaka dhe fëmijë. Burrat luftonin. Aty rrinin shumë vjet, gjersa mbaronin operacionet ndëshkimore. Thonë se banorët e Dhërmiut shkonin në ishullin grek, kurse ata të Himarës flasin si korfjatët, kurse himarjotët, si gjiritlinjtë.

Pastaj shkollat ishin greke. Mesha këndohej greqisht. Tregtinë e bënin me Korfuzin, Janinën. Pak nga pak u shkëputën lidhjet me Labërinë, me Dukatin. Greqia, që u çlirua e para, thoshte se
kudo ku janë ortodoksë janë grekë; myslimanët janë turq. Nisi antagonizmi turq e kaurë! Propaganda bënte punën e saj. Kjo u thellua në kohën e Ali Pashë Tepelenës, i cili dërgoi një
delegacion në Himarë, që dhe Himara të myslimanizohej. Paria e Himarës delegacionin e priti në Qeparo, se kishte më shumë kapedanë.

Delegatët e Ali Pashë Tepelenës e thanë mendimin dhe qëllimin e vizitës. Më plaku i kuvendit himarjot u tha delegatëve:

-E falënderojmë pashanë, që mendon për të mirën tonë. Po i thonë pashait se këtu poshtë, në fshat, kemi një fushë që s’ka ujë. Thahet në verë dhe nuk na jep asgjë. I jemi lutur Krishtit dhe Shën Mërisë, Shën Kozmait dhe Shën Spiridhonit, po s’na dhanë ujë. Në na dhëntë Muhameti ujë, menjëherë bëhemi myslimanë.

Kështu i thoni pashait.

Kur vajtën e ia thanë pashait përgjigjen e bregasve, ai qeshi me
zemërim dhe tha:

-Eh, kaurët e dreqit, do të ma paguajnë! – Pastaj, duke qeshur:

-Pizevengët, janë të zgjuar, s’ke ç’thua, janë rrufjanë të mëdhenj!

Pak nga pak propaganda greke bëhej më e madhe, duke pretenduar se Himara ishte krahina më heroike e Greqisë.

Shumë kapedanë, sidomos paria, kishin privilegje. Dhe paratë e mirëbërësve himarjotë, që i kishin lënë në bankën greke për shkollat e Himarës, ishin një shkak shumë serioz për propagandën greke. Gjikë Bixhili nga Dhërmiu kishte fituar shumë para në Rusi, ku e kishte marrë Pano Bixhili, përfaqësues i himarjotëve pranë carit, në Peterburg. Mësuesit dhe shpenzime për shkollën merreshin nga fondi i Gjikë Bixhilit.Gjikë Bixhili ndërtoi dhe një shkollë, që është edhe sot e kësajdite. Ne, kur ishim të vegjël, në shkollën e fshatit shihnim portretin e tij, të varur në klasë. Siç i la Gjikë Bixhili paratë në bankën greke, ashtu i lanë dhe shumë mirëbërës të tjerë nga Jugu, si Zhapa me shokë. Ishin miliona, të cilat u bënë burim për të ushqyer propagandën greke në vendin tonë, sa u krijua miti i Vorio Epirit dhe sillogu vorioepirot, që merrej “me çlirimin” e Vorio Epirit, domethënë të Shqipërisë së Jugut. Paratë u vunë në dispozicion të parisë, e cila merrte një mijë dhe shpenzonte për shkollë një…Paria merrte para nga banka greke, e cila qe e autorizuar nga qeveritë reaksionare nacionaliste të Megali Idhesë (Megali Idheja: që Greqia të bëhej e madhe duke përfshirë në kufijtë e saj jugun e Shqipërisë dhe vende të Ballkanit ku janë ortodoksë).

Himarjotët që emigronin në Greqi, kishin privilegje: përkraheshin si bij të një “krahine heroike greke” me histori trimërie dhe burrërie. Fatkeqësia ishte se Shqipëria u çlirua e fundit në  Ballkan.

Himara kishte ushqyer shpirtin e aneksartisë, autonomisë, si Suli, i cili pak nga pak u greqizua. Dhe, pasi u çlirua Shqipëria, me kufij të cunguar shumë, propaganda greke e ushqeu shumë idenë e autonomisë së Himarës: as shqiptare, as greke! Kishte hedhur rrënjë të thella kjo propagandë në shpirtin e himarjotëve, të cilët sytë i mbanin nga Greqia. Krerë himarjotë, si Spiro Miloja, një luftëtar që e ndihmoi shumë Greqinë, ishte në krye të kësaj propagande, me gjithë farefisin dhe sojin e tij të përndarë në Dhërmi, Vuno e gjetkë. Spiro Miloja ishte nga Progonati. Në fshatin tonë ai kishte farefis Llukë Zh. e të tjerë, që propagandonin ndarjen e Himarës nga Shqipëria. Si bazë kryesore të propagandës përdornin dhe këtë: Pse labëria u bë
turke? E pse të mos bëhemi edhe ne me Greqinë, që është armike e betuar e Turqisë, siç jemi edhe ne armiq të betuar të
turkut?

Shumë fanatikë ishin fshatarët e mi! Njëzet e gjashtë kisha kishte. Mbaj mend unë se kishim tetë priftërinj. Lidhjet ekonomike, privilegjet në Greqi, interesimi i Greqisë për himarjotët, sillogu vorioepirot ndikuan shumë për t’i bërë himarjotët t’i kthenin sytë nga Greqia dhe të ëndërronin për një autonomi. Pastaj, edhe në kohën e pavarësisë himarjotët panë se asnjë qeveri e Tiranës nuk u kujdesua asnjëherë për ta. Nuk shkonin as xhandarë dhe nuk merreshin në asnjë punë. Ata pëlqyen të mërgonin: herën e parë në Llavrion, ku kishte miniera; në Korint, për të hapur kanalin; në Vllahi, në Rusi, pastaj në Amerikë, në Francë, në Meksikë, në Argjentinë, në Australi, Kanada e gjetkë. Kështu që ne dinim më mirë se ku binte Buenos Ajresi sesa Kukësi, që nuk ia kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim se ku binte Australia dhe jo Kosova, që nuk ia kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Athina dhe Korfuzi ose Tirana e Shkodra. Ishim pa asnjë lidhje me atdheun tonë.

Disa përçarës, vetë regjimi i Zogut, sidomos Musa Juka, na përçau. U ndamë në fshat në dy parti: pendëkuqtë, që deshën Shqipërinë dhe shkollat shqipe; dhe pendëbardhët, që deshën Greqinë e shkollat greke në fshat. Këtë përçarje e ushqeu shumë Musa Juka, duke na armiqësuar vëllë me vëlla. Familja jonë bënte pjesë në partinë e pendëkuqve dhe mbanim në ballkon kurdoherë flamurin e Shqipërisë. Kapedanët e Spiro Milos na kishin ardhur disa herë në shtëpi, duke na thënë se Andrea Markoja ishte vrarë për Greqinë, Marko Jani ishte internuar nga italianët për Greqinë e të tjera. Deshën që ne të linim shtëpinë e të shkonim në Korfuz, ku do të na mbante me shkolla e me pensione Athina. Qoftë im vëlla, Fotoja, qoftë kushëriri im, Jani, i sikterisnin duke u thënë: “Andrea Markoja u vra për Himarën dhe Marko Jani vdiq i veremosur nga internimet dhe vuajtjet e shumta për Himarën dhe jo për Greqinë. Himara sot është dhe mbetet shqiptare. Prandaj mbajmë dhe flamurin ditë e natë të ngritur në ballkon. Ne e dimë gjakun tonë se nga buron.”…